Lidhje

Forcat irakiane marrin kontrollin e fushave të naftës nga kurdët


Forcat irakiane përparuan me shpejtësi në pjesën veriore të vendit të martën, duke rimarrë territorin dhe dy fushat më të mëdha të naftës nga kurdët, duke i dhënë fund shpresave të tyre për një shtet të pavarur.

Një ditë pas marrjes nën kontroll të Kirkukut, një qytet me një milion banorë, trupat e Bagdadit hynë nëpër qytete dhe fshatra të tjera të rajonit, dhe kryengritësit kurdë u tërhoqën pa luftë.

Fushat e naftës Bai Hasan dhe Avana prodhonin rreth 250,000 fuçi nafte në ditë. Rreth 650,000 fuçi janë eksportuar për të financuar operacionet e këtij rajoni autonom kurd. Humbja e tyre është një goditje ekonomike ndaj përpjekjeve kurde për të shpallur pavarësinë nga qeveria qendrore në Bagdad. Kurdët votuan në një referendum muajin e kaluar për një shtet të veçantë, por Bagdadi e shpalli të paligjshëm votimin.

Ministri irakian i naftës, Jabar al-Luaibi tha se Bagdadi tani do të përpiqet të rrisë prodhimin në fushat e naftës në Kirkuk në më shumë se një milion fuçi në ditë.

Shtetet e Bashkuara kanë trajnuar si forcat irakiane, ashtu edhe luftëtarët kurdë peshmerga, duke u bashkuar me ta në luftën kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik. Presidenti i amerikan Donald Trump tha të hënën se Shtetet e Bashkuar nuk kanë marrë anën e askujt në këtë konflikt.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG