Iraku ka përshëndetur vendimin e administratës Obama për të dërguar trupa shtesë që do të mbështesin dhe këshillojnë forcat irakiane në luftën kundër Shtetit Islamik. Kryetari i Parlamentit Irakian ka kërkuar ndërkaq mbështetje më të madhe ndërkombëtare. Vendimi amerikan merret ndërkohë që u mbush një vit që kur Shteti Islamik mori qytetin irakian të Mosulit:
Ata që arritën të shpëtojnë nga Mosuli para mbërritjes së trupave të ISIS ende jetojnë në kampe refugjatësh si ky në zonën kurde të Irakut:
“Më duket e pabesueshme kur kujtoj se është mbushur viti që kur u largova nga qyteti, apo që kjo situatë do të zgjaste kaq shumë”.
Administrata Obama ka autorizuar dërgimin e 450 trupave shtesë në Irak, duke e çuar në 3500 numrin total. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, kryetari i Parlamentit Irakian Salim al-Jibouri kërkoi ndihmë ndërkombëtare shtesë:
“Vendimi i administratës amerikane është një hap mjaft i mirë për ne dhe dëshmon vullnetin dhe dëshirën serioze të Shteteve të Bashkuara në luftë kundër ISIS. Por ky nuk është nivel i mjaftueshëm për të siguruar fitoren përfundimtare në këtë luftë, prandaj do të donim më shumë ndihmë dhe solidaritet nga komuniteti ndërkombëtar dhe në veçanti nga Shtetet e Bashkuara”.
Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë edhe furnizime me armë dhe pajisje për forcat irakiane, përfshirë edhe për grupet paraushtarake nën komandën irakiane.
Ligjvënësi republikan Ed Royce tha për Zërin e Amerikës se qeveria irakiane duhet të bashkëpunojë me fiset suni dhe kurde që luftojnë kundër ISIS. Por ai shtoi se do të ishte gabim që Amerika të dërgonte furnizime për grupet paraushtarake shiite të mbështetura nga Irani, që luftojnë në zonat e banuara nga sunitë dhe kurdët në Irak.