Lidhje

Ushtarakë të tjerë amerikanë në Irak


Presidenti amerikan Barak Obama urdhëroi të mërkurën dërgimin e 450 trajnuesve të tjerë ushtarakë në Irak në një përpjekje të re për të përforcuar trupat irakiane ndërkohë që ata përpiqen të rimarrin Ramadin, kryeqytetin e provincës Anbar të kapur muajin e kaluar nga kryengritësit e shtetit islamik. Shtëpia e Bardhë tha se ky personel i ri do t'u shtohet 3100 trajnuesve që SHBA kanë tashmë në Irak, por zoti Obama vazhdon të përjashtojë dërgimin përsëri të trupave tokësore në Irak pas tërheqjes së tyre në vitin 2011.

Përveç stërvitjes së trupave irakiane, Shtetet e Bashkuara po drejtojnë një koalicion të dhjetëra vendeve i cili ka kryer më shumë se 4400 sulme ajrore në Irak dhe Siri grupin Shteti Islamik në shënjestër. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest tha të martën se ka prova se kjo strategji mund të funksionojë.

"Ka patur fusha ku kemi parë forcat irakiane të sigurisë, me mbështetjen e koalicionit tonë ushtarak, duke demonstruar jo vetëm vullnet për të luftuar, por edhe efektshmëri në luftime. Kjo ka qenë e suksesshme në largimin e ISIL-it nga zonat si Tikriti, Haditha dhe nga disa zona të Anbarit. Ky është një tregues se ka një strategji, ka një kornizë për sukses".

Zyrtarët thonë se plani do të përfshijë krijimin e një baze të re trajnimi në provincën Anbar dhe rritjen e mbështetjes për luftëtarët suni që shihen si një faktor kritik në përpjekjet për të rimarrë kontrollin e Anbarit. Forcat irakiane të sigurisë, të mbështetura nga milicitë po përpiqen të rimarrin zonat pranë Ramadit, kryeqyteti i provincës, pasi muajin e kaluar ato ranë në duart e militantëve islamikë.

Kritikët e kanë akuzuar presidentin Obama për mungesë të një strategjie të qartë, gjë që edhe ai vetë e pranoi gjatë komenteve që bëri të hënën. Ata kanë bërë thirrje që Shtetet e Bashkuara të dërgojnë trupa tokësore për të luftuar në Irak, një alternativë që presidenti deri tani e ka përjashtuar.

XS
SM
MD
LG