Lidhje

Irma dobësohet por rreziku nuk ka kaluar


Uragani Irma është dobësuar dhe është kthyer në një stuhi tropikale sot, ndërsa zhvendoset në veri të Floridës dhe në jug të Xhorxhas, sipas Qendrës Kombëtare amerikane të Uraganëve. Irma ka shkaktuar shkatërrim në Florida, shteti i tretë më i populluar i Amerikës. Por një zyrtar thotë se ende është e vështirë që të llogariten dëmet.

Metereologët po paralajmërojnë se fryrja e ujrave shkaktuar nga Irma përgjatë brigjeve juglindore mund të shkaktojë “kushte që rrezikojnë jetën”. Drejtori i Menaxhimit të Emergjencave për Floridën, Bryan Koon, thotë se stuhia është ende shumë fuqishme për të filluar përpjekjet e vlerësimit të dëmeve.

“Koha ka qenë shumë e keqe gjithë ditën për të mundur të organizojmë fluturime. Prandaj nuk kemi një ide të detajuar se sa është shkalla e dëmeve. Nuk kam shifra për lëndime të mundshme”, tha ai.

Qendra e uraganëve thotë se është e mundur që të ketë tornado në Floridën verilindore, Xhorxhan juglindore dhe Karolinën e Jugut deri sot në darkë.

“Irma po dobësohet ndërsa vazhdon të shkojë drejt veriut në zonën perëndimore të gadishullit të Floridës. Një nga pasojat më të konsiderueshme, pritet të jenë reshjet e dendura të shiut në veri të Floridës dhe në Xhorxha në dy ditët e ardhshme”, tha John Cangialosi, specialist për uraganët në Qendrën Kombëtare të Uraganëve.

Të dielën në darkë, Irma po lëvizte me erëra me shpejtësi maksimale 155 kilometra në orë.

Para se të godiste Shtetet e Bashkuara, Irma shkaktoi shkatërrim në Karaibe, që tani përgatiten për të përballuar uraganin Hoze, që të dielën në darkë po lëvizte me erëra me shpejtësi 185 kilometra në orë. Parashikuesit e motit parashikojnë që fryrja e ujrave nga uaragani Hose mund të prekin pjesë të Hispaniolës, ishujve Bahamas dhe Turks and Caicos gjatë dy ditëve të ardhshme.

Mbi gjashtë milionë vetë në Florida ishin pa energji elektrike të dielën natën pasi Irma goditi pjesë të Brigjeve të Gjirit të këtij shteti me erëra të fuqishme me mbi 200 kilometra në orë.

Stuhia goditi në ishujt Keys të dielën në mëngjes kur po arrinte maksimumin e fuqisë. Në mbrëmje po i afrohej Tampës dhe Shën Peterburgut, dy qytetet më të mëdha përreth Gjirit të Tampës, ku ujrat e stuhisë pritej të shkaktonin dallgë deri në tre metra lartësi në rrugë, oborre dhe shtëpi.

Presidenti Donald Trump e shpalli Floridën, një zonë katastrofe madhore të dielën, një veprim që bën të mundur dislokimin e fondeve të ndihmave federale për viktimate stuhisë me ritme më të shpejta.

Mbi 75 mijë vetë hynë në strehime urgjente në gjithë shtetin, por gjithsej vetëm tre vdekje të lidhura me stuhinë ishin raportuar në Florida, deri të dielën vonë. Të pakën 25 vetë kanë gjetur vdekjen që kur Irma goditi Karaibet javën e kaluar.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG