Lidhje

ISIS humb 22 për qind të territorit


Trysnia e shtuar ushtarake mbi luftëtarët e grupit Shteti Islamik në Siri dhe në Irak, ka bërë që grupi të humbë 22 për qind të territorit gjatë 15 muajve të fundit, më shumë se 8% që nga fillimi i këtij viti.

Këto të dhëna janë rezultat i analizës së grupit vëzhgues IHS Jane’s, i cili tha se militantët janë "gjithnjë e më të izoluar dhe perceptimi për ta është se janë në rënie".

Grupi vuri theksin në zonën e Sirisë veriore, ndërmjet qytetit Raqqa që funksionon si kryeqyteti i territorit të ISIS dhe kufirit me Turqinë, ku sulmet ajrore ruse dhe ato të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, në kombinim me luftëtarët kurdë dhe sunni, kanë dëbuar militantët duke çliruar vendkalimet kryesore kufitare. Shteti Islamik tani kontrollon një pjesë të vogël të territorit sirian ku mund të kontrabandojë furnizime dhe luftëtarë nga Turqia.

Përfshirja e Rusisë në sulme me goditje ajrore krijoi polemika, pasi Perëndimi e akuzoi Rusinë është përqendruar më shumë në sulmet kundër kryengritësve dhe në mbështetje të presidentit sirian Bashar al-Assad, në vend të Shtetit Islamik. Por, fillimi i sulmeve ajrore ruse më 30 shtator të vitit të kaluar, shënoi një intensifikim të fushatës së përgjithshme ajrore.

Ndërmjet një janarit të vitit 2015 dhe fillimit të sulmeve ajrore ruse, avionët e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, kryenin mesatarisht 20 sulme në ditë në Irak dhe Siri. Sipas një analize që Zëri i Amerikës u ka bërë të dhënave të Pentagonit, nga fillimi i bombardimeve ruse, numri u rrit në 23 sulme në ditë.

Derisa forcat e kombinuara në veriun e Sirisë zmbrapsën Shtetin Islamik, forcat pro qeveritare në Irak përfituan, përfshirë edhe rikthimin e qytetit Ramadi nga forcat ushtarake dhe milicitë Sunite dhe Shiite.

Iraku planifikon një lëvizje të njëjtë në qytetin verior të Mosulit, një nga zonat më të mëdha që mbahet nga militantët tash e një vit e gjysmë.

Komuniteti ndërkombëtar ka vënë në dukje nevojën për bashkim në luftën kundër Shtetit Islamik dhe për një marrëveshje paqësore ndërmjet qeverisë siriane dhe kryengritësve, për të mundësuar përqendrimin e burimeve ushtarake në çrrënjosjen e militantëve në vend. Ky proces, i cili ka shënuar pak përparim për disa vjet, ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz kanë vdekur dhe miliona janë larguar nga vendi, është ripërtërire në fillim të kësaj jave me negociatat e udhëhequra nga Kombet e Bashkuara në Gjenevë.

XS
SM
MD
LG