Lidhje

Ishulli Ellis, një relike e imigracionit amerikan


Një relike e historisë së imigracionit masiv të 100 vjetëve më parë në Shtetet e Bashkuara është hapur për herë të parë për publikun. Qendra e izolimit dhe karantinës në Ishullin Ellis që ka pritur një dyndje prej miliona vetësh në fund të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX ka hapur tani dyert për vizitorët.

Ishulli Ellis në brigjet e Nju Jorkut në vitin 1909… Këtu shkelnin për herë të parë të huajt që donin të futeshin në Shtetet e Bashkuara nga porti i Nju Jorkut. Dhe për shumë prej tyre, udhëtimi përfundonte me kaq.

Ata vinin të rraskapitur nga rruga, të sëmurë nga vuajtjet që kishin lënë në vendin e tyre ose nga udhëtimi i vështirë. Të gjithë të sapo-ardhurit duhet të kontrolloheshin nga mjeku para se t’u lejohej futja në Shtetet e Bashkuara.

Tani turistët mund të vizitojnë spitalin ku shumë paraardhës të tyre kaluan ditë të gjata në pritje agonie. Miliona vetë janë kontrolluar e mjekuar këtu. Antoni Mrozinski është guidë turistike:

"Ata silleshin këtu. Shpesh futeshin në ndërtesë për t’u kontrolluar. Fillimisht i kontrollonin mos kishin morra. Po t’u gjenin morra, u rruanin kokën”.

Kompleksi me 29 ndërtesa të parestauruara ndodhet pranë molos ku ndaleshin anijet dhe ku tani është ngritur Muzeu i Imigracionit. Artisti JR ka sjellë këtu ekspozitën e tij me fotografi që mbushin muret e brendshme të ndërtesave. Efekti i ekspozitës është shpesh herë rrënqethës kur sheh fytyra fëmijësh pas dritareve me xhama të thyer.

Mbajtja në qendër, shpjegon Antoni, kishte për qëllim të mos lejonte futjen në Amerikë të individëve që paraqisnin rrezik për shëndetin publik:

"Ua merrnin rrobat për t’i larë dhe sterilizuar. I fusnin të bënin banjë. Të mos harrojmë se shumica e këtyre njerëzve sapo kishin kaluar dy javë në hambarin e anijes. Ishin të pisët, mbanin erë”.

Ata që vinin të sëmurë shtroheshin në spital. Personi duhej ta apelonte vendimin. Nëse kishte të afërm, atëherë kushërinjtë e tij duhet të dëshmonin se kishin fonde për të paguar mjekimin në spital. Kjo ishte e vetmja mënyrë për t’u pranuar: Jessica Cameron-Bush, punonjëse në muzeum, shpjegon:

"Nëse nuk kishe njeri që mund të paguante për mjekim, ose nëse kishe sëmundje të pashërueshme, nuk të lejonin të qëndroje. Ata të mbanin në spital deri kur vinte koha për t’u nisur anija dhe të kthenin në atdhe”.

Rreth 3500 vetë vdiqën gjatë qëndrimit në Ishullin Ellis; 1400 prej tyre ishin fëmijë të prekur nga ethet e verdha, tuberkulozi apo sëmundje të tjera të pashërueshme të kohës.

Antoni tregon se për ata që vdisnin gjatë qëndrimin në spital, bëhej autopsia në këtë mjedis të qendrës. Procesi tërhiqte mjekë nga e gjithë bota.

"Mjekët vinin për të parë procesin, pasi kishin rastin të mësonin për sëmundje që nuk i kishin parë në jetën e tyre”.

Vizitorët pajisen me helmeta për t’u mbrojtur gjatë lëvizjes nëpër ndërtesat e dëmtuara nga koha. Ata kalojnë nëpër ambjente ku dyshemeja mund të jetë e mbushur me copa xhami të thyer dhe objekte të tjera të rrezikshme, pasi mjediset nuk janë restauruar. Për këtë arsye, turet janë të kufizuara – katër herë në ditë për grupe me maksimumi dhjetë vetë.

Vizitorët kanë rastin të njihen me peripecitë e atyre që erdhën në Shtetet e Bashkuara një shekull më parë. Për ata që u buzëqeshte fati dhe i mbijetonin karantinës, portat e qendrës hapeshin drejt një jete të re amerikane.

XS
SM
MD
LG