Qeveria irakiane ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare pasi ekstremistët suni të Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit grabitën material bërthamor nga një universitet. Kërkesa bëhet ndërkohë që ekstremistët kanë marrë nën kontroll edhe një uzinë të braktisur të armëve kimike. Korrespondenti Henry Ridgwell njofton se ekspertët e armëve nuk shohin ndonjë rrezik të madh nga këto suksese të fundit të ekstremistëve.
Mendohet se ky që po flet është udhëheqësi i ekstremistëve, Abu Bakr al-Baghdadi, duke kënduar lutjet e së premtes në qytetin irakian të Mosulit. Luftëtarë të armatosur rëndë të këtij grupi morën në qershor Mosulin, qyteti i dytë më i madh i Irakut.
Qeveria irakiane paralajmëroi dje se ekstremistët kishin shtënë në duar deri në 40 kg material me përbërje uraniumi nga Universiteti i Mosulit. Tërheqja e ngutshme e trupave qeveritare pas ofensivës së ekstremistëve ka lënë shumë objekte pa mbrojtje, thotë Afzal Ashraf, ekspert i anti-terrorizmit në Institutin e Shërbimeve të Bashkuara Mbretërore:
“Ata faktikisht nuk kishin kohë të bënin asgjë. Nuk mendoj se kishin ndonjë plan për skenarë të tillë. Ndoshta ky është mësimi që nxirret nga kjo situatë: cilat objekte do të duhet të mbrosh në rast se bie një qytet në duart e kryengritësve”.
Në një letër në adresë të Kombeve të Bashkuara, Bagdati zyrtar kërkon ndihmë ndërkombëtare “për të eliminuar rrezikun” e përdorimit të materialit bërthamor nga terroristët në Irak apo vende të tjera. Por Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike thotë se materiali ka nivel të ulët uraniumi dhe nuk përbën kërcënim. Përsëri analisti Afzal Ashraf:
“Por ajo që mund të bëjnë ekstremistët, nëse kanë synime të tilla dhe nëse kanë ekspertizën e nevojshme, është të ndërtojnë “bomba të pista” pra bomba me përqindje materiali bërthamor, të cilat kur shpërthejnë, ndosin zonën përreth me këtë material”.
Ekstremistët e ISIL-it po ashtu kontrollojnë një uzinë armësh kimike në veri-perëndim të Bagdatit. Uzina ka qenë jashtë përdorimit prej vitesh dhe ekspertët thonë se municioni është i skaduar dhe pa vlerë. Ka kaluar një muaj që kur kryengritësit filluan ofensivën dhe qeveria irakiane duket ende e paaftë të rimarrë kontrollin e zonave të rëna në duart e ISIL-it.
Kjo kërkon bashkëpunim me popullatën lokale suni si dhe një ofensivë ushtarake, thotë Ranj Alaadin i Shkollës Ekonomike të Londrës:
“Rezultati do të varet në masë të madhe nga mënyra si reagon shteti irakian; nëse bashkëpunon me iranianët, apo turqit apo me amerikanët. Po ashtu varet nga ndikimi që do të mund të ushtrojë Bagdati në popullatën arabe suni të zones veriore të vendit, ndoshta me mbështetjen e fiseve vendase apo të aktorëve të moderuar suni”.
Por qeveria e Bagdatit nuk duket se po arrin t’i kapërcejë përçarjet e brendshme. Politikanët kurdë të Irakut njoftuan të enjten se do t’i bojkotonin mbledhjet e Kabinetit, pasi Kryeministri Nouri al-Maliki akuzoi rejonin autonom kurd në veri të vendit se po strehon ekstremistët suni.
Vëzhguesit thonë se konfliktet rrisin gjasat që qeveria rajonale kurde të përpiqet për t’u shkëputur nga shteti irakian.