Lidhje

Shteti Islamik humb territore në Irak dhe në Siri


Forcat e sigurisë në Irak njoftuan fillimin e një operacioni për rimarrjen e kontrollit të Ar-Rutbah-s, një qytezë në provincën perëndimore të Anbarit, që lidh zonat nën kontrollin e Shtetit Islamik me kufijtë me Jordaninë dhe Sirinë.

"Po t’i hedhësh një vështrim hartës, duket qartë rëndësia e kësaj pjese të provincës Anbar," –i tha gazetarëve zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Peter Cook. "Në se forcat irakiane të sigurisë do të ishin të afta të siguronin Rutbah-in, ky do të ishte një hap i rëndësishëm përpara në luftën kundër Shtetit Islamik dhe për të ndalur fluksin në kufirin jordanez, nga Perëndimi në lindje drejt Bagdadit.”

Në fillim të vitit, Shteti Islamik humbi kontrollin e një territori në Sirinë Lindore dhe matanë kufirit, pranë Sinjarit, në Irak, duke ndërprerë atë që ka qenë linjë kontrolli që shtrihet nga provinca Deir Ezzor e Sirisë e deri në Mosul, e zona të tjera më në jug, në Irak.

Zëdhënësi Cook bëri vlerësimin e tij të fundit për të gjithë luftën kundër Shtetit Islamik, duke thënë se tani ky grup ka humbur 45 për qind të territorit që dikur kishte nën kontroll në Irak dhe 16-20 për qind të atij në Siri.

XS
SM
MD
LG