Lidhje

ISIS, edhe pse i dobësuar, paraqet rrezik


Shkatërrimi i bastioneve që grupi Shteti Islamik pranon se ka në Irak dhe në Siri nuk ka për të qenë i mjaftueshëm për të ngadalësuar vrullin e këtij grupi terrorist për organizimin e komploteve kundër Perëndimit, apo vendeve të tjera, thonë zyrtarë amerikanë dhe të Perëndimit.

“Goditja e suksesshme e aftësive ushtarake të ISIS-it në Irak dhe në Siri nuk ka për t'i dhënë fund kërcënimeve globale nga sulmet terroriste të ISIS-it” - tha gjeneral-lejtnanti amerikan Michael Nagata, Drejtor i Qendrës Kombëtare Anti-terrorizmit dhe Planifikimit Operacional Strategjik.

“ISIS-i ka treguar se ka aftësinë për të eksportuar ideologjinë, burimet dhe njerëzit e vet dhe qëllimin për të kryer sulme. Ky grup terrorist ka për të vazhduar edhe në të ardhmen të bëjë të njëjtën gjë,"- tha gjenerali Nagata në një takim të organizuar nga Qendra Strategjike për Studime Ndërkombëtare.

Zyrtarë europianë, sidomos nga vendet që kanë qenë objekt i sulmeve të ISIS-it që kanë shkaktuar viktima, janë po aq të alarmuar kur i hedhin një vështrim kërcënimeve komplekse që paraqet ky grup terrorist.

Kundërshtimi i një kërcënimi kompleks

Shumë thonë se sfida në luftën kundër Shtetit Islamik është qasja unike që ka ky grup ndaj komandës dhe kontrollit.

Zyrtarët mendojnë se komplotuesit e sulmeve mbështeten si tek operativët e përgatitur me kujdes e të organizuar, edhe tek përkrahësit e izoluar të grupit, të frymëzuar prej tij, të cilët kryejnë sulme të veçuara terroriste. Po ashtu, ekziston mundësia që të dyja këto raste të ndërthuren dhe kjo e vështirëson shumë parashikimin e sulmeve.

“ISIS mbetet një armik shumë i rrezikshëm", i tha Zërit të Amerikës, në kushtet e anonimitetit, një zyrtar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, duke theksuar se Shtëpia e Bardhë është duke shqyrtuar një strategji kundër ISIS-it. "Një pjesë e rëndësishme e këtij studimi, - tha zyrtari, - merret me të kuptuarit dhe evoluimin që mund të ketë ky grup."

Në pamje të parë, duhet se ka pak ndryshim në qasjen e grupit terrorist, në kushtet kur udhëheqësit dhe përkrahësit e ISIS-it, vazhdojnë të bëjnë thirrje për sulme ndaj Perëndimit.

Zëdhënësi i ISIS-it Abu Hassan al-Muhajir thonte përmes në mesazhi në audio ditët e fundit, se: "Bëje armikun të jetë i zënë me veten e vet, që të mos ketë kohë verë në shënjestër kombin e Islamit."

Po ashtu, propaganduesit e ISIS-it janë përpjekur të marrin autorësinë për sulmet që ndodhin, edhe kur mendohet që ato janë të izoluara, si psh rasti i sulmit të 52-vjeçari Khalid Masood në fund të muajit të kaluar, që vrau tre persona dhe plagosi dhjetra të tjerë në Urën Westminster të Londrës. Zyrtarët britanikë thanë se Masood ka vepruar i vetëm, edhe pse ISIS mori përgjegjësinë për sulmin.

“ISIS vazhdon të nxisë në publik veprime nga të cilat përfiton çështja e vet, si dhe për të tërhequr vëmendjen nga humbjet e grupit në fushën e betejës," i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i përpjekjeve kundër terrorizmit, duke shtuar se "ISIS pretendon se ka frymëzuar sulme edhe në rastet nuk duket të ketë patur lidhje mes autorit të sulmit dhe grupit ".

Analisti Michael S. Smith, II, i cili ka qenë konsulent për terrorizmin për qeverinë amerikane dhe britanike, thotë se pas sulmit të Londrës, ISIS i ka shtuar përpjekjet për t'i bindur përkrahësit e vet në Perëndim që të kryejnë sulme të reja.

Por zyrtarë ushtarakë amerikanë thonë se përpjekjet në terren në Irak dhe në Siri i kanë dobësuar aftësitë e grupit terrorist në këto vende, duke theksuar se thuajse gjysma e njerëzve të afërt me udhëheqësin e IS-it Abu Bakr al Baghdadi, janë vrarë..

Ish zëdhënësi i IS-it, Abu Muhammad al-Adnani, që konsiderohet si arkitekti i komploteve terroriste të grupit, ishte njëri prej personave të vrarë në një sulm ajror pranë al Bab-it në Siri, gushtin e kaluar.

Në muajin nëntor, një seri sulmesh ajrore amerikane vranë Boubaker Al-Hakim, komplotues i sulmeve ndaj Perëndimit, si dhe Salah Gourmat dhe Sammy Djedou, të cilët patën lidhje me sulmet terroriste të Parisit në vitin 2015.

Megjithatë, disa zyrtarë kanë shqetësimin se ISIS mund të ketë aftësinë për të kryer sulme komplekse shkatërrimtare, duke theksuar se në vitet e fundit ky grup i ka fuqizuar operacionet në Europë, ndërsa përpiqet të gjejë mënyra për të depërtuar në Azinë Qendrore dhe Jugore, madje edhe në rajonin e Azi-Paqësorit.

Europa, rreziku i radikalizmit dhe i luftëtarëve të huaj

Në vende si Franca dhe Belgjika ka shqetësime për shkak se një numër relativisht i madh qytetarësh të tyre shkojnë për të luftuar në krah të ISIS-it në Siri dhe Irak, ndërsa ato përpiqen të trajtojnë çështjen e radikalizimin islamik në vendet e tyre.

“Francezët janë të ndërgjegjshëm se terrorizmi ka për të goditur përsëri" - paralajmëroi Minsitrja e Brendshme e Francës, Muriel Domenach gjatë një vizite në Washington, duke theksuar se ka 12,000 çështje aktive me lidhje me radikalizmin.

Ajo paralajmëroi se edhe ata elementë të cilët duket se kanë vepruar të vetëm, me siguri që kanë patur ndihmë.

“Shumica e atyre për të cilët ne mendonim se kishin vepruar vetëm, është provuar se ishin frymëzuar nga Daesh, madje edhe të komanduar prej tij," - tha ajo.

Në Belgjikën fqinjë, autoritetet thonë se ka 200 raste hetimesh aktive, dhe se numri i dënimeve për terrorizëm, e ka kaluar dyfishin e atyre të vitit 2014.

Belgjika, sikurse edhe vende të tjera europiane, janë thellësisht të shqetësuara për ndikimin e mundshëm që mund të kenë luftëtarët e huaj që kthehen nga frontet e luftës në Siri dhe Irak.

Ajo që i frikëson më tepër SHBA dhe Perëndimin, është se burimet e zbulimit japin shumë pak të dhëna për lëvizjen e luftëtarëve të huaj dhe operativëve të tjerë, që shpesh përdorin dokumente të rreme për t'u kthyer në vendet perëndimore.

“Këta njerëz është shumë e vështirë të identifikohen, tha gjeneral-lejtnanti amerikan Nagata. “Kaosi që ekziston në Siri, e bën të mundur, që në se do të fshihesh, mund ta bësh këtë…Duhet të tregohemi të duruar. Kërcënimi terrorist nuk mund të mbarojë këtë vit. Ne nuk mund ta përcaktojmë me saktësi se kur mund të marrë fund,"- tha ai.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG