Lidhje

Rebelët islamikë marrin kontrollin e një baze ushtarake


Rebelët islamikë morën kontrollin e një baze ajrore të rëndësishme nga forcat qeveritare siriane në provincën veriperëndimore Idlib, sipas njoftimit në televizionin shtetëror të Sirisë dhe të një grupi monitorimi.

Televizioni shtetëror njoftoi sot për tërheqjen e ushtrisë nga aeroporti ushtarak Abu Duhur, të cilin ekstremistët islamikë e kishin rrethuar që prej dy vjetësh.

Grupi me bazë në Britani “Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut” tha se Fronti Al Nusra dhe grupe të tjera islamike, me lidhje me al-Qaidën, kanë tani kontrollin e thuajse të gjithë bazës.

Qytetit Idlib, që është kryeqytet provincial si dhe disa zona të tjera p[rreth kishin rënë në duart e forcave islamike, disa muaj më parë. Aeroporti ishte një nga objektet e fundit që kishte mbetur nën kontrollin e ushtrisë siriane.

Marrja e kontrollit të bazës ajrore përbën valën e fundit të arritjeve të forcave rebele në Siri, që po ngre pikëpyetje lidhur me qëndrueshmërinë në afat të gjatë të qeverisë së presidentit sirian Bashar al-Assad.

Rreth 250 mijë njerëz kanë humbur jetën në luftën civile 5-vjeçare në Siri, që ka detyruar mbi 4 milionë sirianë të largohen nga vendi.

XS
SM
MD
LG