Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu thotë se ushtria izraelite do të intensifikojë ofensivën në Rripin e Gazës dhe vazhduan të hidhnin raketa në drejtim të Izraelit. Sulmet ajrore izraelite në Gaza dhe sulmet me raketa nga ana e militantëve të Hamasit ndaj Izraelit vazhdojnë të shkaktojnë viktima dhe po terrorizojnë civilët në të dy anët. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Mary Alice Salinas, njofton mbi strategjinë e administratës së Presidentit Obama mbi këtë krizë.
Militantët e Hamasit vazhdojnë sulmet e tyre me raketa mbi Izraelin ndërsa Izraeli vazhdon të sulmet ajrore mbi bazat e Hamasit në Rripin e Gazës.
Sulmet ndëshkuese nga ajri po vazhdojnë pasi miratimi me shpejtësi nga Izraeli i propozimit egjiptian për armëpushim shumë shpejtë u hodh poshtë nga Hamasi.
Tani Izraeli paralajmëron se nuk ka zgjidhje tjetër përveç zgjerimit të ofensivës kundër militantëve të Hamasit.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest thotë se situata është e "paqëndrueshme", dhe bota i ka hedhur sytë drejt Hamasit.
"Bota tani i ka kthyer sytë nga Hamasi dhe grupet në territoret e kontrolluara nga palestinezët të cilët po kryejnë sulme me raketa. Dhe pyetja është se a do të veprojnë ato në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit të propozuar nga egjiptianët".
Sekretari i Shtetit John Kerry, i cili ishte i përfshirë në bisedimet e paqes në Lindjen e Mesme të cilat dështuan në prill, vendosi të mos shkojë në Kajro, pas propozimit nga Egjipti të një plani armëpushimi.
"Kjo ishte një ofertë për të cilën ne menduam se ishte e rëndësishme që t’i jepej një mundësi. Unë ende mendoj se ndoshta arsyeja do të mund të triumfojë nëse krahu politik arrinë të bind krahun ushtarak dhe nëse Egjipti do të mund të ketë një lloj ndikimi".
Pavarësisht se nuk mund të shihet, Uashingtoni është më i përfshirë se sa mendohet, thotë eksperti i çështjeve të Lindjes së Mesme, Natan Sachs.
"Shtetet e Bashkuara janë duke u përpjekur të bëjnë shumë gjëra prapa dyerve. Por, arsyeja kryesore që Sekretari e Shtetit nuk po shihet në terren tani është se Shtetet e Bashkuara nuk mund të merren shumë me Hamasin".
Shtëpia e Bardhë thotë se është duke u përpjekur të shfrytëzojë në maksimum ndikimin e saj duke përdorur marrëdhëniet e saj me Egjiptin dhe vendet e tjera në rajon në mënyrë që ato të përdorin ndikimin e tyre mbi Hamasin, të cilin Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur një grup terrorist.
"Mjafton të them se kjo administratë nga presidenti deri më poshtë është e angazhuar thellësisht me aleatët tanë, me izraelitët dhe palestinezët dhe me partnerë të tjerë në rajon".
Por krizat e tjera globale kërkojnë vëmendje dhe Uashingtoni do të fokusohet në vendet ku ka ndikim, thotë Kenneth Katzman, analist i çështjeve të Lindjes së Mesme në Institutin e Studimeve Strategjike.
"Mendoj se Shtetet e Bashkuara janë duke i përqëndruar përpjekjet e tyre aty ku mund të bëjnë një ndryshim. Zoti Kerry mund të ketë bërë një ndryshim në problemin e zgjedhjeve afgane gjatë fundjavës. Kështu që unë mendoj se Shtetet e Bashkuara do të përqëndrohen në ato çështje ku diplomacia dhe ndikimi amerikan është më i lartë dhe aty ku mund të sjellin rezultate".
Për momentin, është e paqartë se çfarë do të ndalojë vuajtjet e civilëve në Rripin e Gazës dhe në Izrael, ku sulmet ajrore dhe shkatërrimet po vazhdojnë ndërkohë që zgjidhja e krizës nuk duket në horizont.