Lidhje

A ka shpresa për sukses për bisedimet e paqes?


Negociatorët izraelitë dhe palestinezë, bashkë me ndërmjetësit amerikanë, rifillojnë sot në Jeruzalem bisedimet e paqes, përpjekja e tyre e parë e rëndësishme në 3 vjetët e fundit për zgjidhjen e çështjeve më shqetësuese. Të dy palët u takuan për bisedime paraprake muajin e kaluar në Uashington dhe janë angazhuar të diskutojnë për 9 muaj fatin e refugjatëve palestinezë, vendbanimet izraelite si dhe kufijtë e një shteti të ardhshëm palestinez, por siç theksohet në materialin në vazhdim, nuk ka shumë shpresa për sukses.

Ndërsa negociatorët izraelitë, palestinezë dhe amerikanë bëheshin gati të takoheshin në hotelin Mbreti David në Jeruzalem, tingujt e lutjeve të përditshme u dëgjuan në mbarë qytetin e lashtë. Zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, si Marie Harf kanë shprehur optimizëm.

“Të dyja palët vijnë në tryezën e bisedime me një vullnet të mirë sepse ata besojnë në rëndësinë e procesit të paqes. Ata besojnë se mënyra më e rëndësishme për zgjidhjen e këtyre çështjeve është nëpërmjet një marrëveshjeje mbi statusin final, të arritur nëpërmjet negociatave”.

Por mosmarrëveshjet vazhdojnë të jenë të thella, edhe pasi Izraeli liroi 26 të burgosur palestinezë, një kusht ky për rifillimin e bisedimeve.

Në Hebron të Bregut Perëndimor, një grua palestineze mezi priste të takohej me të shoqin, i burgosur në Izrael për vrasjen në vitin 1992 të një ushtari.

“E kam të vështirë të përshkruaj ndjenjat e mija. Janë ndjenja gëzimi, të cilat shpresoj që Zoti t’u japë të gjithë njerzve”.

Lirimi i të burgosurve ka zemëruar shumë izraelitë, disa prej të cilëve u përpoqën, por dështuan që gjykatat izraelite të ndërhynin.

“Ku po shkojmë tani? Terroristët po dalin nga burgu, njerëzit që ata vranë janë në vare. Kjo nuk mënyra që do të sjellë paqe, kjo do të sjellë më shumë dhunë”, thotë Meir Indor, i një shoqate për viktimat e terrorit.

Ndërkohë, miratimi nga Izraeli këtë javë për ndërtimin e rreth 2 mijë shtëpive të reja, mes tyre disa në Jeruzalemin lindor të banuar kryesisht nga palestinezët, ka zemëruar popullatën palestineze. Por Ministri izraelit i Strehimit u tregua mospërfillës.

“E thënë me fjalë të thjeshta, ne thjesht po ndërtojmë. Shkoni përjashta dhe do të shikoni që ne po ndërtojmë dhe jo vetëm kaq, ne do të vazhdojmë të ndërtojmë mijëra shtëpi. Kjo është e përshtatshme, kjo është diçka që ne duhet ta bëjmë dhe do ta bëjmë”.

Udhëheqësja e lartë palestineze, Hanan Ashrawi thotë se njoftimi për ndërtimin e vendbanimeve mund të sabotojë bisedimet e paqes.

“Është më se e qartë që Izraeli përsëri po manipulon procesin me qëllim që të krijojë fakte në terren, të cilat do të humbisnin plotësisht rëndësinë e negociatave sepse ato do të eliminonin çdo mundësi suksesi”.

Por Anthony Cordesman, analist në Qendrën për Studimet Strategjike dhe Ndërkombëtare, thotë se ndërtimi i vendbanimeve izraelite nuk duhet të jetë medoemos faktor përcaktues.

“Suksesi varet shumë nga fakti se sa pragmatiste do të tregohen palët, sa të gatshme do të jenë ato të shqyrtojnë të gjitha presionet që ndikojnë dhe kërcënojnë të ardhmen e tyre”.

Këto presione, thotë zoti Cordesman, përfshijnë pasigurinë politike matanë kufirit në Egjipt dhe vazhdimin e luftës në Siri. Dhe për sa i përket palestinëzëve, sa më shumë kohë të marrë arritja e një kompromisi me izraelitët, thekson analisti, aq më shumë vendbanime izraelite ka të ngjarë të ndërtohen.

XS
SM
MD
LG