Këshilli i Sigurimit i OKB-së zhvilloi mbrëmë gjatë natës një takim urgjent për krizën në Rripin e Gazës, ndërsa Izraeli vazhdon ofensivën ajrore dhe tokësore kundër Hamasit.
Takimin e kërkoi Jordania, pasi dje u njoftua për vrasjen e rreth 100 palestinezëve dhe 13 ushtarëve izraelitë, shumica e tyre në zonën Shijaiyah të Gazës.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon, ka shkuar në Lindjen e Mesme, në përpjekje për të ndërmjetësuar një armëpushim. Ai e dënoi gjakderdhjen e së dielës dhe bëri thirrje që t’i jepet fund menjëherë luftimeve.
Mijëra palestinezë u larguan nga zona e luftimeve, ku rrugët ishin mbushur me viktima dhe rrënoja. Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë njoftojnë për më shumë se 100 të vdekur gjatë luftimeve të dielën në Shijaiyah, dhe thonë se numri i të vdekurve në gati dy javë të bombardimeve izraelite e ka tejkaluar shifrën e 400 vetëve, kryesisht civilë.
Ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara mohoi mbrëmë njoftimin se brenda në Gazë është rrëmbyer një ushtar izraelit, duke thënë se deklarata e Hamasit nuk ishte e vërtetë.