Lidhje

KE: përparësi lufta kundër trafikut njerëzor


Komisioni Evropian tha sot se lufta kundër trafikut njerëzor do të jetë përparësi në politikat e përgjithshme për imigracionin gjatë vitit 2015.

Komisioni vuri në dukje se trafikantët po gjejnë mënyra të reja për të sjellë imigrantë ilegalë në Evropë dhe se po përdorin metoda të reja për të shfrytëzuar njerëz të dëshpëruar që përpiqen t’u shpëtojnë luftrave në vendet e tyre.

Për herë të dytë këtë javë, autoritetet italiane kanë marrë nën kontroll një anije mallrash me qindra refugjatë. Anija ishte braktisur nga ekuipazhi pranë brigjeve italiane.

Forca të rojes bregdetare zbritën nga helikopterë në kuvertën e anijes Ezadeen, e cila lundronte nën flamurin e Sierra Leones. Anija nuk kishte ekuipazh në bord dhe nuk kishte energji elektrike. Sipas autoriteteve në bord kishte rreth 450 vetë, përfshirë gra e fëmijë. Shumë prej tyre mendohet se janë sirianë.

Para mbërritjes së forcave italiane, një prej pasagjerëve arriti të lidhet me radio për të informuar autoritetet se ekuipazhi e kishte braktisur anijen.

Të mërkurën, marina italiane interceptoi një anije mallrash me refugjatë në bord. Anija kishte dalë jashtë kontrollit dhe kishte rrezik të përplasej në brigjet juglindore italiane, pasi ishte braktisur nga ekuipazhi që ishte përfshirë në trafik njerëzor.

XS
SM
MD
LG