Lidhje

Sindikatat protestojnë në Romë


Mijëra punëtorë protestuan sot kundër qeverisë së re italiane, duke bërë thirrje për reforma urgjente të ligjeve të punës, për të frenuar papunësinë dhe për të përmirësuar rritjen ekonomike. Qeveria e re ndërpartiake e Italisë miratoi dje masat e saj të para që synojnë të ndihmojnë ekonominë.

Sindikata e industrisë metalurgjike dhe sindikata CGIL, më e madhja në Itali, bashkuan forcat duke organizuar një marshim protestë në Romë, ku morën pjesë punonjës nga e gjithë Italia. Veshur me kapele dhe bluza të kuqe dhe duke valëvitur flamuj të kuq të sindikatave, ata marshuan paqësisht drejt sheshit San Giovanni, vendi historik i tubimeve të punës.

"Ne i kërkojmë qeverisë të ndryshojë politikat e Montit dhe Berluskonit. Nëse ata nuk do i ndryshojnë, edhe pasi vendi e kërkoi këtë me votën e tij, nuk do të arrihet asgjë", tha Maurizio Landini, kryetar i sindikatës së metalurgëve FIOM.

Qeveria e re ndërpartiake e Italisë miratoi dje masat e saj të para për përmirësimin e ekonomisë. Ato përfshijnë pezullimin e një takse jopopullore mbi vendbanimet si dhe shtimin e fondeve asistenciale për një program afatshkurtër që ndihmon kompanitë të paguajnë pagat e punëtorëve që kanë larguar nga puna për shkak të krizës.

Pezullimi i tatimit mbi pronat – një masë që pritet të shqyrtohet – është kërkuar nga ish-kryeministri Silvio Berluskoni, për të cilin shfuqizimi i kësaj takse jopopullore ishte një premtim zgjedhor para elektoratit.

Tregjet reaguan pozitivisht ndaj administratës së re të qendrës në Itali, duke u qetësuar pas zgjedhjeve të pasigurta të muajit shkurt, por Ministrat e financave të BE-së e kanë bërë të qartë gjatë takimit të tyre në Bruksel këtë javë se ata presin që reformat e qeverisë së ish-Kryeministrit Mario Monti të vazhdojnë.

Një sërë masash të forta për shkurtimin e shpenzimeve qeveritare dhe rritjen e taksave nga ana e qeverisë së mëparshme të ish-Kryeministrit Monti, që synonin reduktimin e borxhit publik, kanë lënë Italinë në një recesion të thellë. Borxhi publik i vendit përbën rreth 127 për qind të prodhimit ekonomik vjetor të Italisë, duke u renditur i dyti në eurozonë, vetëm pas nivelit të borxhit të Greqisë.
XS
SM
MD
LG