Lidhje

Shpresa të reja në pritje të miratimit të reformave buxhetore në Itali


Shpresa të reja në pritje të miratimit të reformave buxhetore në Itali
Shpresa të reja në pritje të miratimit të reformave buxhetore në Itali

Indekse të rëndësishme evropiane regjistruan dje rritje, duke demonstruar optimizëm për planet me reforma buxhetore që pritet të miratojnë Italia dhe Greqia. Presidenti i Italisë, Xhorxho Napolitano është përpjekur të bindë investitorët se vendi do t’i hapë rrugën së shpejti reformave të nevojshme në përgjigje të krizës së borxheve:

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha sot se stabilizimi i Eurozonës mbetet përparësia kryesore e qeverisë së saj dhe se Italia duhet të rifitojë tani besimin e tregut. Ajo përshëndeti reagimin e vendosur nga ana e Italisë për ta realizuar këtë:

“Mendoj se ka rëndësi që Italia të rifitojë besimin dhe besoj se një gjë e tillë po ndodh. Kjo nënkupton se paketa e masave duhet të realizohet shumë shpejt dhe të zgjidhet edhe çështja e udhëheqjes politike. Këto masa kanë rëndësi për besimin e tregut tek Italia”.

Tregjet evropiane të aksioneve kanë reaguar pozitivisht ndaj sinjaleve që po vijnë nga Italia, duke regjistruar dje rritje, pasi është shfaqur një rreze shprese për zgjidhjen e ngërçit politik në Itali. Presidenti italian ka premtuar se do përshpejtojë reformat për t’i hapur rrugë dorëheqjes së kryeministrit Silvio Berluskoni, mundësisht që këtë fundjavë.

Presidenti Xhorxhio Napolitano i siguroi investitorët se zoti Berluskoni do të largohet nga posti pas miratimit të reformave. Ai mori një hap tjetër, duke emëruar ekonomistin Mario Monti si Senator për Jetë, gjë që e përfshin zotin Monti në listën e emrave që mund të marrin së shpejti drejtimin e qeverisë së vendit. Është një zgjedhje që i shërben interesit të vendit në këto momente, thotë Bjorn Thomassen, profesor i Shkencave Politike në Universitetin Amerikan në Romë:

“Mendoj se Mario Monti është personi që kërkonin tregjet. Kur kishte postin e një komisioneri të Bashkimit Evropian, ai merrej me politikat e konkurrencës. Gëzon respekt nga ndërkombëtarët dhe është ekonomist shumë i mirë”.

Italisë i duhet të bindë investitorët për stabilitetin e saj politik dhe aftësinë për të miratuar masa në përgjigje të problemit të borxhit, i cili aktualisht llogaritet në 120 për qind të prodhimit të përgjithshëm. Robert Halver kryeson Zyrën e Kërkimeve mbi Tregun pranë Bankës gjermane Baader:

“Nëse nuk ka qartësi politike, nuk ka shpresë për Italinë. Ajo që vërejtëm në tregun italian të letrave me vlerë është një këmbanë alarmi për të përveshur mëngët që t’i futemi punës”.

Investitorët shqetësohen se nëse normat e interesit të huamarrjes mbeten tepër të larta për një kohë të gjatë, Italia do të izolohet nga tregjet financiare dhe do të ketë nevojë për një fond ndihmash nga vende të tjera evropiane. Një gjë e tillë do të ishte një goditje shumë e rëndë edhe për monedhën Euro. Kapërcimi i krizës italiane, paralajmërojnë disa analistë, është i domosdoshëm për mbijetesën e Eurozonës:

“Falimentimi i Italisë do t’i përngjiste falimentimit të firmës Lehman Brothers, por do të komplikohej më tej edhe me krijimin e një skeme të re financiare. Nuk them se ky skenar do të bëhet realitet, por duhet të tregohemi të kujdesshëm që ta shmangim”.

Mobilizimi nga kreu i shtetit me zotimin për zgjidhjen e krizës politike dha dje rezultate të kënaqshme në treg. Italia arriti të shesë bono thesari 12-muajshe për një total prej 6.8 miliardë dollarësh. Pati gjithashtu edhe një rënie të normave të interesit nën 7 për qind, por ky qetësim delikat është i kushtëzuar me masa të guximshme dhe të qarta që priten nga autoritetet italiane brenda këtyre ditëve.

XS
SM
MD
LG