Trafiku i narkotikëve drejt brigjeve italiane po vijon nga hapësira detare shqiptare. Policia e Brindizit në bashkëpunim me Rojën bregdetare italine bllokoi në Brindizi rreth 1,5 tonë marijuanë që po transportohej me një gomone super të shpejtë nga Shqiperia.
Policia italiane tha se ka arrestuar tre shetas shqiptarë dhe ka sekuestruar një armë zjarri në bordin e gomones. Burimet policore shqiptare thonë se po vijojnë hetimet për rrjetin e trafikut në Vlorë dhe Fier, mbështetur nga shkëmbimi informacionit me policinë italiane mbi personat e arrestuar.
Burimet zyrtare shqiptare kanë pohuar se Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve në Policinë shqiptare ka shkëmbyer gjatë fazës operacionale në det informacion me autoritetet policore Italiane.
Një ditë më parë, Policia e Vlorës bllokoi në zonën bregdetare të Zvërnecit mbi 200 kilogramë marijuanë që dyshohej se do të ngarkohej në gomone për t`u transportuar drejt Italisë.
Sipas burimeve policore pjesa bregdetare nga Dhërmiu në Vlorë, zona e Grykëderdhjes së Vjosës dhe zona e Bishtit të Pallës në Durrës po rikthehen në zona ku trafikantët synojnë të trasportojnë sasi të marijuanës drejt Italisë. Ndërkohë gjatë pranverës dhe verës zona të tëra në Vlorë u përfshinë nga aktiviteti i kultivimit të marijuanës.