Lidhje

Itali, kryeministri Matteo Renzi njofton dorëheqjen


Matteo Renzi

Italianët i thanë jo reformave kushtetuese të propozuara nga kryeministri Matteo Renzi, të cilat parashikonin forcimin e kompetencave të kryeministrit, që sipas përkrahësve do t'i sillnin qëndrueshmëri politike Italisë.

Propozimi përfshinte shkurtimin e pushtetit të Senatit, duke pakësuar numrin e senatorëve nga 315 në 100, si dhe zvogëlimin e pushtetit të autoriteteve rajonale.

Kryeministri Renzi pohonte se reformat do të përshpejtonin procesin ligjvënës në Itali, një vend që ka ndërruar 60 qeveri që nga viti 1948.

Por, kundërshtarët thanë se reformat nënkuptonin më shumë pushtet në duart e kryeministrit.

Duke iu drejtuar vendit pas referendumit kryeminstri tha se "qeveria ime përfundon këtu". Anketat e para pas votimit tregonin se ai mund ta ketë humbur referendumin me 20 për qind.

Fushata kundër reformave të propozuara nga zoti Renzi u drejtua nga partia kryesore e opozitës, Lëvizja e Pesë Yjeve e udhëhequr nga Beppe Grillo, i cili kërkon referendum nëse Italia duhet të përdorë monedhën e përbashkët evropiane euro.

Humbja e kryeministrit Renzi mund të forcojë partitë populiste përfshirë Lëvizjen e Pesë Yjeve dhe Ligën e Veriut që ka qasje kundër emigrantëve.

Referendumi në Itali pasoi votën britanike për dalje nga Bashkimi Evropian, ndërsa përkon më ngritjen e Fronit Kombëtar francez me frymë kundër emigrantëve dhe partive tjera populiste në Evropë.

Drejtuesja e Frontit Kombëtar në Francë Marine Le Pen, shkroi në twiter se "italianët kanë refuzuar Bashkimin Evropian dhe Renzin. Duhet të dëgjojmë këtë etje për lirinë e kombeve”.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG