Lidhje

Shpërthim me bombë në Izmir të Turqisë


Në qytetin turk të Izmirit, një makinë bombë shpërtheu pranë një gjykate dhe u pasua nga një shkëmbim zjarri mes tre personave dhe policisë.

Një polic dhe një punonjës i gjykatës u vranë, ndërkohë që shkëmbimi i zjarrit la të vdekur dy persona që sulmuan.

Sipas një zyrtari, nga shpërthimi u plagosën 10 persona të tjerë, një prej tyre në gjendje të rëndë. Agjencia shtetërore turke e lajmeve tha se policia është në kërkim të një të dyshuari të tretë.

Ngjarja e sotme pason një varg sulmesh, të kryera nga grupi Shteti Islamik apo nga militantët kurdë, që kanë krijuar një gjendje tensioni në vend.

Tridhjetë e nëntë vetë u vranë në sulmin ndaj një klubi nate të Stambollit gjatë festimeve të Vitit të Ri. Dje, policia arrestoi në Izmir rreth 20 vetë, që besohet të kenë lidhje me personin që sulmoi në klubin e Stambollit, i cili ende nuk është kapur.

XS
SM
MD
LG