Lidhje

Luftimet në Lindjen e Mesme: vriten 5 palestinezë, plagosen dy izraelitë


Izraeli goditi Gazën me një seri sulmesh ajrore sot pasi Hamasi rifilloi sulmet me raketa kundër Izraelit kur bisedimet për zgjatjen e armëpushimit tre-ditor në Kajro dështuan.

Tymi u ngrit mbi Gazë ndërsa avionët luftarakë izraelitë u kundërpërgjigj ndaj dhjetëra raketave të gjuajtura nga Hamasi në Izrael, me rifillimin e një konflikti një mujor që ka lënë tashmë pothuajse 2.000 të vdekur. Në luftimet më të fundit u vranë të paktën 5 palestinezë dhe u plagosën dy izraelitë.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon tha se ishte shumë i pakënaqur që palët nuk ishin në gjendje të bien dakord për një zgjatje të pushimit tre-ditore në bisedimet e tyre në Kajro.

Egjipti, që po luan rolin e ndërmjetësit në bisedime, tha se negociatat po përparonin dhe bëri thirrje për një marrëveshje të re. Megjithatë, Izraeli e thirri të premten delegacionin e vet nga diskutimet, duke thënë se nuk do të negocionte me palestinezët, ndërsa militantët vazhdonin të hidhnin raketa.

Ushtria izraelite tha se militantët në Rripin e Gazës shkelën armëpushimin 72 orësh para se të skadonte të premten në mëngjes.

Në Washington, një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë i dënoi sulmet me raketë të Hamasit dhe i bëri thirrje të dyja palëve t'i rifillojnë bisedimet.

XS
SM
MD
LG