Lidhje

Jahjaga në prag të përfundimit të mandatit


Pas dy javësh më 7 prill, në Kosovë do të bëhet ndërrimi i postit të presidentit. Atifete Jahjaga, e ardhur në këtë detyrë para 5 vjetësh, më 7 prill të vitit 2011, do t’ia lerë vendit ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thaçi. Presidentja Jahjaga ka shënuar një sërë momentesh historike gjatë mandatit të saj, ajo ka qënë presidentja e parë femër në Ballkan, presidentja e parë në Kosovë që nuk i përkiste asnjë partie politike dhe më e reja që zgjidhej në këtë detyrë, 35 vjeçe. Gjatë këtyre ditëve presidentja Jahjaga ndodhet në Uashington, ndoshta në vizitën e saj të fundit këtu si presidente. Ajo ishte e ftuar për një intervistë të drejtpërdrejtë në studiot e Zërit të Amerikës:

Intervistë me presidenten Atifete Jahjaga
please wait

No media source currently available

0:00 0:19:02 0:00

Zëri i Amerikës: Zonja Jahjaga, dje ju u takuat me nën presidentin amerikan Biden dhe një prej çështjeve kryesore që u diskutua ishte ajo e krizës politike në Kosovë. Në takim u theksua se ekziston një nevojë urgjente që partitë politike “t’i zgjidhin problemet përmes institucioneve të siç është parlamerntit të zgjedhur në mënyrë demokratike”. Por në Kosovë, situata është e tensionuar, opozita po e bojkton parlamentin. Ju vetë keni ndërmarrë një sërë nismash ndërmjetësimi për të hapur dialogun me ta. A shihni ju shpresë dialogu, apo zgjedhjet duken të jenë e vetmja mundësi zgjidhjeje në Kosovë?

Presidentja Jahjaga: Zoti Xhixho, faleminderit shumë. Gjatë ditës së djeshme unë pata një takim jashtëzakonisht të mirë, një takim shumë të përzemërt dhe shumë produktiv me Zëvendës Presidentin Biden, një mik të qytetarëve të Kosovës dhe një mik të Kosovës ku shfrytëzova rastin që ta falenderoj personalisht në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës për përkushtimin e tij personal dhe të administratës së tanishme edhe përkundër që lista e prioriteteve gjithnjë po zgjerohet për sa i përket administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por përkushtimi për Kosovën asnjëherë nuk ka munguar. Po ashtu mora përkrahje të fuqishme për partneritetin e mëtutjeshëm, miqësinë dhe raportet e fuqishme mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe në mes të dy popujve tanë. Po, është e vërtetë që Kosova ka hyrë në një krizë të thellë politike dhe morale e shkaktuar kryesisht nga klasa politike në vend, e cila ende nuk po mundet që të ulet bashkarisht që të gjejë zgjidhje të cilat janë në interes të popullit tonë, janë në interes të vendit dhe janë në interes të proceseve të mëtutjeshme të shtetit tonë përmes rrugëve të dialogut. Ju keni parë që në këto gjashtë muajt e fundit unë kam qenë jashtëzakonisht aktive në mënyrë që të krijoj kushte, të ofroj rrethanat e duhura që t’i bëj të gjitha partitë politike parlamentare që të ulen bashkarisht që të gjejnë një zgjidhje, që t’i japin të gjitha këtyre kërkesave dhe problemeve që po ngrihen brenda këtyre muajve të fundit, t’i japin drejtim dhe zgjidhje institucionale. Përgjigja është vetëm përbrenda zgjidhjeve institucionale dhe përmes dialogut në mes të pozitës dhe të opozitës. Unë i kam apeluar opozitës që forca e argumentit nuk duhet dhe nuk mund të zëvendësohet me gazin lotsjellës, ashtu sikurse i kam apeluar edhe pozitës që demokracia nuk mund të reduktohet përmes arrogancës së numrave. Unë deri tani kam ndërmarrë dy iniciativa në funksionin tim kushtetues dhe në rolin e faktorit të unitetit në vend, në rastin e par për Asocacionin e Komunave me Shumicë Serbe duke e dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Tanimë kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili është obligues ndaj të gjithëve dhe unë bëj thirrje që çdo proces institucional që duhet të bëhet në këtë drejtim të bëhet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në rastin e dytë kam emëruar një komision ndërkombëtar ad-hoc të ekspertëve për të shqyrtuar procesin e demarkacionit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi. Kurse për sa u përket zgjedhjeve, zoti Xhixho ne tanimë kemi kaluar dy procese jashtëzakonisht të mira të zgjedhjeve, të cilat janë vlerësuar jo vetëm brenda por edhe nga ana e partnerëve ndërkombëtarë dhe unë nuk besoj që Kosova e ka luksin që çdo vit, apo herë pas here të futet në ciklin e zgjedhjeve të cilat ende nuk e dimë se ku do ta çojnë vendin tonë, përkundër asaj që ne tani jemi në disa procese intensive, të cilat janë të ndërlidhura me reformat dhe me perspektivën tonë euro-atlantike.

Zëri i Amerikës: Sot është 17 vjetori i ndërhyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë kundër forcave serbe dhe që pas disa vitesh solli edhe pavarësinë e Kosovës. Le të ndjekim për pak momente, njoftimin që bëri atëhere Presidenti Klinton për popullin amerikan..

Sot forcat tona të armatosura së bashku me aleatët e NATO-s filluan sulmet kundër forcave serbe përgjegjëse për krimet në Kosovë. Ne po veprojmë me vendosmëri për disa arsye, për të mbrojtur mijëra njerëz të pafajshëm në Kosovë nga një ofensivë në rritje ushtarake, për të parandaluar një luftë më të gjerë, për të çaktivizuar një fuçi baroti në zemër të Evropës që ka shpërthyer dy herë këtë shekull me pasoja katastrofike”.

Zëri i Amerikës: Kur shikoni këto pamje të avionëve të NATO-s, ose këto komente të Presidentit Clinton, çfarë ju shkon sot në mendje?

Presidentja Jahjaga: Me të vërtetë, duke parë këto skena tani zgjove një emocion të veçantë tek unë, por besoj edhe tek të gjithë qytetarët e Kosovës, sepse kjo histori, të cilën ne e kemi tejkaluar 16 vite më parë, është një histori e cila ka lënë pasoja të mëdha për të gjithë qytetarët e Kosovës. Por, intervenimi i NATO-s, vendimi i administratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të udhëhequra nga miku i madh i Kosovës, Presidenti Clinton, ka bërë një histori krejtësisht tjetër, jo vetëm për Kosovën, por ka bërë histori edhe përbrenda vetë Aleancës së NATO-s; duke kthyer shpresën për popullin e Kosovës, duke ndalur spastrimin etnik, gjenocidin dhe shpërnguljen në masë të popullit të Kosovës; duke i dhënë mundësi vendosjen së paqes dhe mundësinë për ndërtimin e një jete më të mirë për qytetarët e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Zonja Presidente, që nga ajo ditë që sot duket disi e largët, kur ishte vënë në pikëpyetje vetë ekzistenca e Kosovës, sot debati në Kosovë bëhet për integrimin e vendit tuaj në BE. Pra, një përparim goxha i madh. Megjithatë, ndonëse është realizuar ëndërra e lirisë së shqiptarëve në Kosovë, duket se ëndrra e tyre për mirëqenie ekonomike ende po çalon. Si mund të realizohet edhe kjo ëndërr? Çfarë e pengon përparimin më të shpejtë ekonomik të Kosovës?

Presidentja Jahjaga: Patjetër që po, zoti Xhixho, sepse ne kemi kaluar shumë faza të rënda dhe po ashtu faza të tranzicionit dhe të transformimit si shoqëri dhe edhe përkundër tejkalimit të këtyre 16 viteve një fokus i veçantë është dashur t’i kushtohet edhe ndërtimit të mirëqenies së qytetarit tonë, zhvillimit ekonomik dhe ofrimit të mundësive dhe tërheqjes së investimeve të huaja. Fatkeqësisht, Kosova ende çalon në këtë drejtim. Është bërë një punë goxha e madhe, por neve si institucione kemi ende punë për të bërë, të kemi një revolucion kohëve të fundit, një revolucion ekonomik, të kemi një stimulim më të fuqishëm ekonomik dhe të zhvillimit ekonomik në vend, e cila është jo vetëm e domosdoshme për ndërtimin e mirëqenies së qytetarëve tanë, por ky është edhe një parakusht themelor i proceseve integruese të Kosovës. Sepse Evropa nuk na do në këtë gjendje në të cilën jemi tani. Reformat që ne kemi filluar si institucione dhe si shoqëri të proceseve të integrimeve evropiane me nënshkrimin e marrëveshjes së stabilizim-asociimit dhe shpresoj brenda këtij viti edhe me procesin e liberalizimit të vizave, duhet të hapin mundësi të tjera më të mëdha për qytetarët e Kosovës, të cilat janë të ndërlidhura me zhvillimin ekonomik, me gjenerimin e vendeve të reja të punës, të cilat garantojnë qëndrueshmërinë e shtetit tonë.

Zëri i Amerikës: Bota këto ditë përballet përsëri me një akt terrorist, me ngjarjet në Bruksel. Kosova ka një problem të vetin me radikalizimin, duke patur nga radhët e qytetarëve të saj, për banorë, numrin më të madh të luftëtarëve me Shtetin Islamik. Sa është i rrezikuar vendi juaj nga lëvizjet radikale fetare?

Presidentja Jahjaga: As Kosova dhe asnjë vend tjetër në rajon dhe më gjerë nuk mund të jetë imun dhe nuk do të jetë imun ndaj këtyre trendeve të kërcënimeve globale të radikalizmit të dhunshëm, estremizmit dhe terrorizmit. Dhe unë kam qenë e pakompromis në Kosovë sa i përket luftës efikase kundër ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm. Kosova këtij fenomeni iu ka qasur në kënde të ndryshme apo me veprime konkrete si në aspektin e sigurisë, si në aspektin ligjor po ashtu edhe në aspektin e bashkëpunimit. Në aspektin e sigurisë, një punë jashtëzakonisht e mirë, e koordinuar nga mekanizmat e sigurisë në vend, të policisë së Kosovës, inteligjencës dhe prokurorisë ka rezultuar në një numër të madh të qytetarëve të Kosovës të cilët janë arrestuar. Pastaj janë kryer kontrolle në një numër të konsiderueshëm të xhamive ilegale dhe organizatave të ndryshme jo-qeveritare që kanë vepruar në mënyrë jo të ligjshme. Në aspektin ligjor, kemi propozuar ligje të reja dhe kemi amandamentuar ligje të tjera që sanksionojnë këto vepra kriminale dhe në aspektin e bashkëpunimit ne kemi rritur në masë të madhe bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar me qëllim që të jemi më efikasë në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm. Në qoftë se kthehemi dhe shohim zhvillimin e situatës në Kosovë në këtë fushë, në vitin 2013 dhe 2014 Kosova ka patur mbi 200 qytetarë të cilët u janë bashkuar këtyre kauzave si luftëtarë të huaj si në Siri ashtu edhe në Irak në kuadër të grupeve Al-Nusra ose ISIS, kurse brenda vitit të kaluar e kemi reduktuar këtë numër në vetëm 13 dhe këtë vit deri më tani nuk kemi asnjë qytetar që iu është bashkuar këtyre kauzave.

Zëri i Amerikës: Zonja presidente, korrupsioni mbetet një nga sfidat kryesore në Kosovë që dëmton rëndë edhe zhvillimin e saj ekonomik. Ju keni ndërmarrë një sërë nismash kundër korrupsionit, keni krijuar në fakt një këshill për ta luftuar atë. Ku po ngec vendi, përse është bërë kaq i vështirë përballimi i këtij fenomeni?

Presidentja Jahjaga: Zoti Xhixho, problemi i korrupsionit ka qënë dhe mbetet një problem serioz për Kosovën, por nuk është vetëm për Kosovën por edhe për vendet e tjera të rajonit, por edhe më gjerë. Pesë vite më parë kur unë fillova mandatin tim si presidente e Republikës së Kosovës e kam identifikuar këtë si një nga sfidat kryesore, e cila po e mban peng zhvillimin e mëtutjeshëm të vendit tonë. Unë në atë kohë kam krijuar Këshillin Kombëtar për luftën efikase kundër korrupsionit në mënyrë që të krijoj një mekanizëm ndër-institucional, i cili do të gjente mungesat brenda institucioneve dhe mungesën e hallkave ndër-institucionale dhe përmirësimin e tyre në mënyrë që të rrisim efikasitetin tonë në luftën kundër korrupsionit. Por neve duhet ta dimë që për luftën efikase kundër korrupsionit është i domosdoshëm edhe vullneti politik dhe fatkeqësisht dua ta them që klasa politike në Kosovë ende përfiton nga rrjetet klienteliste dhe nepotiste dhe ende nuk e ka treguar atë shkallë të vullnetit për një luftë efikase kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në vendin tonë, e cila po mban peng jetën e qytetarëve tanë, po e mban peng zhvillimin e mirëqënies së qytetarëve, po i mban jashtë investimet dhe tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë. Por përkundër kësaj duhet ta them se kemi shënuar pak progres, sidomos përbrenda vitit të kaluar dhe në bazë të indikatorëve botërorë të mirëqenies ne kemi shënuar dikund rreth 16 për qind rritje përsa i përket kontrollit të korrupsionit.

Zëri i Amerikës: Të ndalemi tani tek ju personalisht, pas dy javësh ju mbaron mandati. Për shumë njerëz, gjatë gjithë këtyre pesë viteve që ju keni qenë presidente, jashtë Kosovës ju keni qënë përfaqësuesja më e mirëpritur do të thoja e Kosovës. Ndërkohë në vendin tuaj keni një tjetër realitet. Jeni përballur me shumë kritika. Përse ndodh kjo mospërputhje?

Presidentja Jahjaga: Kritikat janë të mirëseardhura, ato janë pjesë e punës, përsa kohë ato kritika kanë të bëjnë me avancimin e performancës së punës dhe unë gjithmonë jam munduar që të jem sa më gjithpërfshirëse, të jem sa më parimore. Kurse të gjitha ato kritika që kanë qenë, veçanërisht ato seksiste jam munduar që t’i injoroj dhe ato asnjëherë nuk kanë penguar punën time sepse neve në Kosovë ende kemi një atmosferë goxha të ashpër të veprimit, sidomos sa i përket klasës politike. Kurse sa i përket paraqitjes, për mua zoti Xhixho ka qenë një nder i veçantë që të jem presidente e Republikës së Kosovës, që të prezantoj vendin dhe kudo që kam shkuar, unë jam pritur me seriozitetin më të madh dhe unë jam munduar që me seriozitetin më të madh të mundshëm të përfaqësoj popullin tonë, që të përfaqësoj interesat e qytetarëve të Kosovës dhe të shtetit tonë.

Zëri i Amerikës: Këtu në Shtetet e Bashkuara kur doli për herë të parë një kandidate grua për postin e presidentit, zonja Clitnon, pati një debat jo të vogël që ende vazhdon, se a është Amerika e përgatitur për një presidente grua. Për ju që po i jepni fund mandatit, sa e vështirë ka qënë si kryetare e shtetit që të ndesheni me një shoqëri do të thoja paksa konservatore ku partitë politike drejtohen kryesisht nga burrat?

Presidentja Jahjaga: A janë të gatshme apo jo shtetet që të kenë presidente gra në krye të shtetit apo udhëheqëse? Statistikat e fundit po tregojnë të kundërtën. Gjithnjë e më shumë po del në pah gatishmëria dhe nevoja, apo domosdoshmëria e gruas në pozitat më të larta udhëheqëse. A ka qënë e vështirë? Po. Mund të them që ka qenë e vështirë dhe nuk ka qenë aq e lehtë. Por nuk është e lidhur gjithnjë me aspektin gjinor. Vështirësitë janë pjesë e punës, por kryesisht vështirësitë kanë qënë të ndërlidhura me proceset edhe afatet kohore në të cilat ka kaluar vendi. Normalisht ka qënë dëshira dhe vullneti për të bërë më shumë.

Zëri i Amerikës: A mendoni se gjatë këtyre pesë viteve në postin e Presidentes keni ndihmuar në çështjen e të drejtave të grave në Kosovë?

Presidentja Jahjaga: Absolutisht që po.

Zëri i Amerikës: Çfarë planesh keni për të ardhmen ?

Presidentja Jahjaga: Patjetër që kam plane të cilat besoj që do t’i shpalos gjatë javëve apo muajve të ardhëshëm. Por planet e menjëhershme janë, pak pushim në mesin e familjes time.

Zëri i Amerikës: A ju ka mbetur diçka peng, e parealizuar gjatë këtyre pesë viteve?

Presidentja Jahjaga: Gjithmonë është bilanci se çfarë mund të kishe bërë më shumë dhe çfarë ke dashur të bësh më shumë për një fushë që me të vërtetë ka nevojë që t’i kushtohet një përqëndrim i veçantë dhe është zhvillimi ekonomik, tërheqja e investimeve të huaja dhe krijimi i vendeve të punës dhe hapja e perspektivës për 60% të popullatës së Kosovës që është rinia e vendit. Kjo mbetet e vetmja brengë e imja. Duhet të punohet më intensivisht, por këto kanë qënë kompetencat e Presidentit.

XS
SM
MD
LG