Lidhje

Japoni: kryeministri Abe kërkon falje pas një skandali të dyshuar


Kryeministri japonez Shinzo Abe kërkoi falje pasi Ministria e Financave pranoi se kishte ndryshuar dokumentat që lidheshin me një skandal nepotizmi. Dokumentat kishin të bënin me shitjen e një toke në pronësi të shtetit një shkolle private me të cilën ka lidhje bashkëshortja e zotit Abe, me një ulje të konsiderueshme çmimi.

Ministria e Financave konfirmoi se dokumenta zyrtare ishin ndryshuar, duke hequr emrat e zotit Abe dhe gruas së tij, Akie. Zoti Abe tha se ndjehej përgjegjës.

“Kjo është një situatë që ka tronditur besimin tek e gjithë qeveria. Dhe si kreu i saj unë ndjej përgjegjësi. Do të doja t’u kërkoj thellësisht ndjesë të gjithë qytetarëve”.

Zoti Abe u tha gazetarëve se donte që Ministri i Financave, Taro Aso të sqaronte faktet:

"Për të zbuluar se pse ndodhi kjo dhe për të qartësuar gjithçka, ne do të vazhdojmë hetimin tonë. Shpresoj që Ministri i Financave Aso të përmbushë përgjegjësitë e tij”.

Zoti Aso po përballet me thirrjet për të dhënë dorëheqjen. Ai kërkoi falje në emër të Ministrisë por përsëriti se nuk do të jepte dorëheqjen. Mbijetesa e tij politike është thelbësore për ambicjet e zotit Abe për një madat të tretë. Popullariteti i tij u godit rëndë për këtë çështje, gjë që ishte e dukshme edhe në një anketë këtë muaj.

Dokumentat nga të cilët ishin hequr emrat e zotit Abe dhe bashkëshortes së tij, kishin të bënin me shitjen e një toke shtetërore një çmim jashtëzakonisht të ulur, një shkolle private me të cilën ka lidhje gruaja e kryeministrit.

Drejtori i shkollës dhe e shoqja u arrestuan në korrik, nën dyshimet se kishin marrë subvencione të paligjshme.

Zoti Abe ka mohuar vazhdimisht që të ketë favorizuar shkollën dhe ka thënë se do të japë dorëheqjen, nëse provat tregojnë të kundërtën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG