Kompania e Energjisë Elektrike në Japoni thotë se punonjësit u evakuuan sot nga një ndërtesë e reaktorit, pasi u gjetën nivele jashtëzakonisht të larta radiacioni.
Një zëdhënës i TEPCO-s i tha gazetarëve se niveli i radiacionit në rezervuarin e ujit të turbinës numër 2 të reaktorit ishte 10 milionë herë më i lartë se ai normal.
Po sot, Agjencia Bërthamore e Japonisë tha se niveli i radiacionit në det pranë centralit bërthamor të Fukushimës ka arritur të jetë 1 mijë e 850 herë më i lartë nga kufiri i lejuar, pra është rritur në krahasim me dje, kur ishte 1 mijë e 200 herë më i lartë se niveli normal.
Ndotja e detit është treguesi më i fundit, se radiacioni nga uzina e Fukushimës është duke u përhapur.