Lidhje

Jeb Bush mes së kaluarës dhe së ardhmes


Ish-guvernatori i Floridës Jeb Bush po zhvillon nje turne evropian me shpresën për të forcuar kredencialet në politikën e jashtme para se të bëjë njoftimin e pritshëm të hënën se do të konkurrojë në zgjedhjet presidenciale. Udhëtimi përfshin vizita në tre vende aleate të Shteteve të Bashkuara: Gjermani, Poloni dhe Estoni.

Në një fjalim në Gjermani, zoti Bush i bëri thirrje Perëndimit për qëndresë të fortë kundër agresionit rus ndaj Ukrainës. Ai e cilësoi udhëheqësin rus Vladimir Putin “një pragmatist të paskrupullt”. “Rusia duhet të respektojë sovranitetin e të gjithë fqinjve dhe askush nuk e vë në dyshim që Rusia do të vazhdojë të bëjë si i do qejfi nëse nuk ka kundërpërgjigje ndaj agresionit,” tha zoti Bush. “Aleanca jonë, solidariteti ynë dhe veprimet tona janë thelbësore nëse synojmë të ruajmë parimet themelore të rendit ndërkombëtar”.

“Unë jam individ”

Para se të fillonte fushatën, Jeb Bush u ndal për të vlerësuar punën e babait dhe vëllait, të dy ish-presidentë, por këmbënguli se ai do të veprojë bazuar mbi parimet e tij nëse fiton zgjedhjet presidenciale. “E dua shumë tim vëlla. E dua shumë babain. E dua shumë edhe nënën dhe shpresoj se ky fakt nuk përbën problem për njeri. E admiroj punën që kanë bërë për vendin tonë dhe vendimet e vështira që kanë marrë. Por unë jam individ, me bindjet e mia personale dhe pavarësinë time në vendimarrje dhe pikëpamjet e mia marrin formë nga botëkuptimi dhe përvoja ime,” tha ai në një forum të Këshillit të Cikagos për Zhvillimet Globale në shkurt.

Analistët thonë se presioni ndaj Jeb Bushit për të dëshmuar si dallon nga babai dhe vëllai do të vazhdojë. Analisti politik Tom DeFrank i revistës National Journal foli kohët e fundit në emisionin e Zërit të Amerikës “Issues in the News”. “Atij i duhet të gjejë një ekuilibër të vështirë. Ai duhet të gjejë mënyrën për t’u distancuar nga vëllai, i cili ishte shumë poshtë në popullaritet kur u largua nga posti”.

Hija e Irakut

Zoti Bush pati një moment të vështirë kohët e fundit kur e pyetën nëse do të kishte vepruar ndryshe nga i vëllai në luftën në Irak. Ai tha se duke pasur parasysh ato që di tani, nuk do të kishte dhënë urdhër për ndërhyrje në Irak.

Eksperti Larry Sabato thotë se ka rëndësi kritike që ai të krijojë identitetin e tij politik. “Ai do të përfitojë nga të dyja anët, si të gjithë politikanët. Ai do të sigurojë emërimin si kandidat i republikanëve në zgjedhje falë mbiemrit Bush, por do gjithashtu që të prezantohet si i pavarur në pikëpamje nga babai dhe vëllai. Por kjo nuk arrihet dot dhe në një pikë do t’i duhet të paguajë një çmim politik për presidencën e ngarkuar me probleme të George W. Bushit”.

Zoti Bush ka përdorur mbiemrin për të grumbulluar miliona dollarë nga donatorë republikanë për fushatën. Por ai përballet me skepticizëm nga disa konservatorë dhe sfida për të bërë për vete të rinjtë që ndoshta kërkojnë një fytyrë të re në politikë. “Ai ka një karrierë të mirë dhe emrin e njohur, mbështetje të konsiderueshme, si dhe aftësinë për të grumbulluar fonde,” thotë John Fortier i Qendrës për Politika Dypartiake në Uashington.

“Ka nga ata që do të thonë se si kandidat që i përket klasës ekzistuese politike ai ka qëndrime të qarta për imigracionin, arsimin, që mund të mos pëlqehen nga baza konservatore e partisë”.

Si të Dallohesh mes Turmës

Kur të fillojë zyrtarisht fushatën, Jeb Bushit do t’i duhet të prezantohet para zgjedhësve si individ me vlera të pavarura nga babai dhe vëllai thotë aktivisti republikan Ford O’Connell. “Pa diskutim, mbiemri i tij e ndihmon shumë për të grumbulluar fonde, por është gjithashtu edhe pengesa më e madhe. Jeb Bushit i duhet të dalë në skenë si “Jeb” jo më si “Bush”. Kjo do të jetë e vështirë. Partia Republikane ka një numër komentatorësh me influencë në valët e radios dhe për momentin të gjithë ata kanë përqëndruar vëmendjen tek Jeb Bushi. Ai duhet t’i bindë këta konservatorë se ai ndoqi politika konservatore kur ishte guvernator i Floridës”.

Anketat e opinionit tregojnë se Jeb Bushi është ndër konkurrentët më të fortë për momentin mes dhjetë rivalëve republikanë. Kur Jeb Bushi të shpallë zyrtarisht kandidaturën të hënën, ai do të bëhet republikani i 11-të që futet në garë për të marrë emërimin e partisë për zgjedhjet presidenciale 2016.

XS
SM
MD
LG