Forcat besnike të presidentit të Jemenit Ali Abdullah Saleh kanë hapur zjarr mbi protestuesit anti-qeveritarë në kryeqytetin e vendit Sana dhe në qytetin jugor Taiz, duke vrarë të paktën 5 persona.
Sipas njoftimeve nga Sana snajperistët e vendosur në kulme të ndërtesave kanë qëlluar në drejtim të protestuesve që bënë përpjekje për të hyrë në një rrugë që ndan rajonin e kontrolluar nga forcat qeveritare nga rajonet e kontrolluara nga njësitë ushtarake të disidentëve dhe një udhëheqësi të fuqishëm fisnor. Punonjësit e spitalit thonë se nga të shtënat u vranë katër njerëz dhe u plagosën të paktën 35 të tjerë.
Aktivistët thonë se në protestat e sotme morën pjesë dhjetëra mijëra persona që bënin thirrje për dorëheqjen e presidentit të vendit.
Forcat e sigurisë gjithashtu qëlluan mbi protestuesit në qytetin jugor Taiz, duke lënë vrarë një grua.
Dje dhuna në kryeqytetin Sana mori jetën e 18 personave gjatë një proteste të madhe ku kërkohej dorëheqja e presidentit Ali Abdullah Saleh.