Lidhje

Baumgardner: Çfarë ndodh pas akuzave për ngacmime seksuale?

  • Ardita Dunellari

Figura të njohura në politikë, art, media e biznes janë gjendur muajt e fundit përballë akuzash për akte të pahijshme ose të paligjshme seksuale ndaj kolegeve ose vartëse gra. Këto raste kanë tërhequr vëmendjen mbi dinamikat gjinore në vendin e punës. Aktivistja Jennifer Baumgardner është një ndër figurat më të njohura të lëvizjes feministe të dekadave të fundit në Shtetet e Bashkuara. Ajo ka shkruar për aspekte të ndryshme të fenomeneve gjinore, për të rritur ndërgjegjësimin për probleme që nga ngacmimet seksuale në punë e deri tek përdhunimet. Aktivistja i sheh me sy kritik akuzat e ngritura kohët e fundit. Në një bisedë me kolegen Ardita Dunellari aktivistja Baumgardner thotë se dëshmitë që po dalin nuk ofrojnë asgjë të re, se problemi ka ekzistuar prej kohësh dhe realiteti është ende larg një zgjidhjeje afatgjatë:

Zëri i Amerikës: Përse po dalin këto akuza tani, veçanërisht për raste që thuhet sa kanë ndodhur vite, ndoshta dekada më parë?

Jennifer Baumgardner: Mendoj se tani rreziku ndaj grave për të dalë me akuza është ulur shumë, prandaj po dëgjojmë kaq shumë raste që janë mbajtur të fshehta prej dekadash. Një arsye tjetër, jo aq pozitive që po dalin këto akuza, është se këto raste po shërbejnë si armë politike në një klimë shumë të polarizuar, që ushqehet nga fryma se çdo akt është i justifikueshëm për të larguar nga posti një kundërshtar. Një tjetër arsye: në shoqërinë amerikane kemi arritur më së fundmi në një pikë kur jemi të hapur t’i dëgjojmë këto dëshmi. Ndoshta kjo vjen nga fakti se kemi më shumë gra në sferën publike, po ashtu vajzat e feministeve të viteve 1970 janë rritur e po bëhen nëna; pra kemi gjenerata të tëra feministesh që janë aktive ndaj problemeve të gruas në vendin e punës.

Zëri i Amerikës: Dëgjojmë një reagim me tronditje dhe çudi për këto raste, megjithëse siç e thoni ju problemi i ngacmimeve seksuale është ngritur prej kohësh. Çfarë do t’u thonit atyre që shprehen të shokuar për ekzistencën e problemit?

Jennifer Baumgardner: Mendoj se është një reagim jo i sinqertë. Njerëzit e dinin ndoshta jo krejt me vetëdije, por në subkoshiencë. Kemi qenë pjesë e problemit. E vetmja gjë që ka ndryshuar është se tani ky fenomen shihet si problem, dikur shihej si pjesë e jetës.

Zëri i Amerikës: Çfarë e ka bërë këtë fenomen të papranueshëm? Çfarë ka ndodhur gjatë viteve të fundit që përgatiti terrenin për hapjen dhe nxjerrjen e këtyre rasteve?

Jennifer Baumgardner: Pa diskutim është në një farë mase reagim ndaj zgjedhjes së Donald Trumpit si president, por jo aq për faktin që u zgjodh një person i akuzuar për ngacmime seksuale e akte të padëshirueshme ndaj grave në vendin e punës. Ka pasur plot presidentë që akuzoheshin për akte të tilla. Më tepër se sa reagim ndaj zgjedhjes së Trumpit, ishte reagim ndaj mos zgjedhjes së Hillary Clintonit. Dështimi ynë që nuk arritëm të zgjedhim një grua për presidente, qoftë Hillary Clintonin apo jo. Ky do të kishte qenë një moment i pashembullt, i pakrahasueshëm i pushtetit në duart e gruas në Shtetet e Bashkuara. Dështimi në këtë pikë solli këtë reagim. Viktimat, gratë që janë keqtrajtuar dolën haptazi me historitë e tyre, pasi dëshmitë kundër abuzuesve janë një formë e reagimit feminist, e deklarimit të forcës femërore. Në një fare mase, për mua është një fenomen i trishtueshëm”. Shumë vite më pas, do ta analizojmë këtë moment (re: humbjen e Hillary Clintonit në zgjedhje) dhe do ta shohim si një moment të errët në histori, por njëkohësisht edhe një pike kthese, pasi nuk mendoj se akuzat ndaj gjithë këtyre burrave për akte të pështira, në disa raste edhe penale, ndoshta nuk do të ishin ngritur nëse Hillary do të ishte zgjedhur presidente.

Zëri i Amerikës: A mendoni se jemi në prag të një lëvizjeje të re feministe? Ju përfaqësoni valën e tretë të feminizmit. Mos ndoshta presim lindjen e valës së katërt?

Jennifer Baumgardner: Mendoj se duket si vala e dytë e feminizmit, në formën më pozitivie: kemi një vetëdije të qartë të angazhimit politik, të objektivit. Të shohim çfarë do të arrijmë. Aktualisht jemi në fazën e shkatërrimit: po shkulim shumë njerëz nga fronet, njerëz të fuqishëm që po humbasin pozitat. Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndërtojmë. Nuk më intereson një proces që vetëm dëmton njerëz; nuk gëzohem kur shoh dikë që shkatërrohet. Duhet të gjejmë një rrugë drejt humanizmit edhe për këta burra që akuzohen qoftë edhe për akte si përdhunimi. Tani për tani jemi në fazën e shkatërrimit të këtij sistemi të korruptuar që ka ekzistuar prej kohësh e që lidhet me dinamikat seksuale në vendin e punës.

Zëri i Amerikës: Tingëlloni pesimiste për procesin, sidomos kur flisni për politizimin e këtyre akuzave. Përse jeni pesimiste?

Jennifer Baumgardner: Jam pesimiste pasi mendoj se shumë nga këto raste që po diskutohen po përdoren për arsye partiake. Po ashtu asnjë nga këto akuza që kanë dalë nuk më çudit. Kushdo që ka qenë i hapur për të dëgjuar dëshmitë e grave në lidhje me atmosferën në vendin e punës, e ka ditur këtë. Nuk ka dalë asgjë e re. Jam e vetëdijshme se thjesht duke e diskutuar problemin nuk ndryshon asgjë. Kërkohet një ndryshim shumë i madh në mënyrën se si trajtohet gruaja, por edhe burrat në këtë moment, në mënyrë që të mos lejojmë një kthim prapa. Jam pesimiste, por shpresoj që ta kem gabim.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG