Lidhje

Jeronim Bazo, shefi i ri i shtabit të ushtrisë


Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, emëroi sot gjeneral major Jeronim Bazo, shef të shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura, pas dorëheqjes nga ky post disa ditë më parë të gjeneral major Xhemal Gjunkshit. Vitin e fundit ai ishte këshilltar ushtarak i presidentit Nishani, ndërsa kandidatura e zotit Bazo u propozua nga kryeministri Edi Rama, pas dorëheqjes dhe lirimit nga detyra të zotit Gjunkshi.

53 vje çari Jeronim Bazo kreu studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” të Tiranës, duke kaluar në vitet e para si drejtues i këmbësorisë nëpër gjithë shkallët e karrierës ushtarake. Ai punoi në shtabin e përgjithshëm dhe në ministrinë e mbrojtjes si shef personeli dhe më pas u diplomua në Qendrën Europiane për Studime të Sigurisë “George C. Marshall”.

Zoti Bazo shërbeu si oficer koordinator me NATO-n dhe ishte komandant i Akademisë Ushtarake “Skënderbej”. Aty ku dikur ishte student, ai drejtoi shndërrimin e akademisë në universitet dhe u bë komandant i parë i saj. Zoti Bazo ishte për dy vjet drejtor i planifikimit të mbrojtjes në forcat e armatosura të Shqipërisë, tashmë anëtare e NATO-s, ku dha ndihmesën e tij në detyra të rëndësishme për integrimin e plotë të Shqipërisë në aleancën veri-atlantike.

XS
SM
MD
LG