Lidhje

Përleshje të reja në Jerusalem


Në Jeruzalem u dëgjuan sot sirenat paralajmëruese për sulme me raketa si dhe disa shpërthime, vetëm pak minuta pasi hyri në fuqi një ultimatum i grupit Hamas, i cili i kërkoi Izraelit të tërhiqte forcat nga dy vatra tensionesh në qytet.

Përleshje të reja në Jerusalem
please wait

No media source currently available

0:00 0:02:21 0:00

Në përleshjet jashtë xhamisë al-Aqsa të Jeruzalemit, protestuesit palestinezë gjuajtën me gurë ndërsa policia izraelite përdori shashka dhe plumba gome.

Hamasi mori përgjegjësinë për një sulm me raketë. Përleshjet ndodhin ndërkohë që Izraeli shënoi përvjetorin e marrjes prej tij të disa pjesëve të qytetit në luftën arabo-izraelite të vitit 1967.

Shoqata Palestineze e Gjysmëhënës së Kuqe tha se të paktën 305 palestinezë u plagosën gjatë përleshjeve dhe 228 u dërguan në spital. Sipas njoftimit, disa nga palestinezët ishin në gjendje kritike ndërkohë që policia tha se 21 oficerë të saj u plagosën.

Al-Aqsa, vendi i tretë më i shenjtë i fesë islame, ka qenë një vatër kryesore dhune në Jeruzalem gjatë gjithë muajit të shenjtë të Ramazanit. Përplasjet kanë ngjallur shqetësim ndërkombëtar.

Dhjetëra palestinezë u plagosën në përleshje të dhunshme me policinë në Jerusalem natën ndërmjet të shtunës dhe së dielës, kur myslimanët shënuan natën e Madhe të Kadrit, dita më e shenjtë e muajit të Ramazanit.

Tensionet ishin veçanërisht të larta me kremtimin nga Izraeli të "Ditës së Jeruzalemit", një ritual i përvitshëm që shënon marrjen nga nga Izraeli të Jeruzalemit Lindor dhe Qytetit të Vjetër, ku ndodhen vendet e shenjta myslimane, hebraike dhe të krishtera.

Në përpjekje për të zbutur situatën, policia izraelite tha se kishte ndaluar grupet hebraike të bënin vizitat e Ditës së Jeruzalemit në sheshin e shenjtë ku ndodhet al-Aqsa dhe që hebrenjtë e shohin si vendin e tempujve biblikë të besimit të tyre.

Policia përdori gaz lotësjellës, shashka dhe plumba gome ndaj qindra palestinezëve që hidhnin gurë kundër tyre në shesh. Dhuna në kompleksin e shenjtë u shua pas disa orësh.

Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se Izraeli është i vendosur të respektojë ligjin dhe rendin në Jeruzalem duke ruajtur "lirinë e adhurimit dhe tolerancën për të gjithë".

Nabil Abu Rudeineh, zëdhënës i Presidentit Palestinez Mahmoud Abbas, akuzoi "forcat izraelite të pushtimit" për ndërmarrjen e një "sulmi të egër" në al-Aqsa, siç e quajti ai.

Izraeli thotë se i gjithë Jeruzalemi është kryeqyteti i tij, duke përfshirë pjesën lindore që e aneksoi me një veprim i cili nuk ka marrë njohje ndërkombëtare. Palestinezët duan që Jeruzalemi Lindor të jetë kryeqyteti i një shteti që ata kërkojnë të ngrenë në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Gazë.

Tensionet janë nxitur gjithashtu nga dëbimet e planifikuara të disa familjeve palestineze nga lagja Sheikh Jarrah në Jeruzalemin Lindor.

Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan foli të dielën me homologun e tij izraelit, Meir Ben-Shabbat, "për të shprehur shqetësimet serioze të Shteteve të Bashkuara në lidhje me situatën në Jerusalem" si dhe shqetësimet në lidhje me dëbimet e mundshme të familjeve palestineze. Zoti Sullivan tha se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për sigurinë e Izraelit dhe për paqen e qëndrueshmërinë në Lindjen e Mesme.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres gjithashtu shprehu shqetësim për situatën.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG