Lidhje

50 vjetori i vrasjes së JFK – fjalimi në Berlin


22 nëntori, shënon 50 vjet që nga vrasja e Presidentit John F. Kennedy në Dallas. Në atë kohë, Lufta e Ftohtë mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik ishte në kulmin e saj, dhe kjo pasqyrohej më qartë se kudo tjetër në qytetin e ndarë të Berlinit. Presidenti Kennedy foli aty vetëm disa muaj para vrasjes së tij. Jeff Swicord i Zërit të Amerikës shkoi përsëri në Berlin për të parë se si thirrja e famshme e presidentit për liri ende jehon në këtë qytet tashmë të unifikuar.

“Ka disa që thonë se komunizmi është e ardhmja. Le të vijnë të shohin Berlinin!” deklaroi Presidenti Kennedy.

Presidenti Kennedy shkoi në Berlin në qershor të vitit 1963. Qyteti i ndarë ishte bërë fronti i Luftës së Ftohtë, thotë analisti Andreas Etges.

“Berlini kishte vlera simbolike për të dyja palët. Sidomos për amerikanët. Mund ta përshkruash Berlinin si një qytet në vijën e parë ku vlerat amerikane dhe liria amerikane duhet të mbroheshin ndaj fuqive komuniste”.

Në gusht të vitit 1961, kryeministri sovjetik Nikita Hrushov urdhëroi ndërtimin e Murit të Berlinit për të frenuar largimin e gjermano-lindorëve. Frika dhe kaosi mbërthyen qytetin thotë gjermano-perendimori Alexander Longolius.

“Aleatët perendimorë do të na ndihmonin, veçanërisht amerikanët. Por ky ishte një lloj besimi naiv."

Gjermanët e kishin kritikuar Kennedy-n që pranoi ndërtimin e murit. Shtetet e Bashkuara donin të siguronin gjermano-perendimorët se me ndërtimin e murit agresioni sovjetik do të ndalej.

“Njerëzit ishin rreshtuar në mbarë qytetin. Fëmijët nuk kishin shkollë dhe shumë kompani të mëdha i lanë të lirë punonjësit."

Duke hedhur vështrimin nga turma që brohoriste dhe muri në Portën e Brandenburgut, Kennedy e kuptoi se fjalimi që kishte përgatitur ishte i pamjaftueshëm.

“Aty për aty vendosi të mos e mbante atë fjalim. Ai kishte dikë që e ndihmoi të shkruante në një copë letre disa fjalë në gjermanisht dhe më pas mbajti fjalimin që e dimë të gjithë”.

“Ishte çmenduri. Hapësira nuk ishte e madhe dhe u desh që shumë njerëz të qëndronin në këmbë në anë të rrugëve. Të gjitha ballkonet u mbushën. Të gjithë donin të ishin aty.”

“Mendoj se ka dy komponentë. Një është se Kennedy foli për atë që disa e quajnë politikë e zbutjes të tensioneve dhe bashkëpunimit me Bashkimin Sovjetik.”

"Sot në botën e lirë, thënia më krenare është "Jam berlinas!" tha Kennedy.

“Mesazhi tjetër ishte përsëritja e angazhimit amerikan ndaj Berlinit. Dhe ai e bëri këtë me fjalët më të spikatura."

“Pati disa dyshime nëse ai do të ishte në gjendje të mbante qëndrim ndaj Hrushovit apo nëse Hrushovi do ta trajtonte atë si një president të ri pa përvojë. Të gjitha këto dyshime u zhdukën."

Në Berlinin Lindor, reagimi ishte më kritik, thotë Werner Kraetschew.

“Reagimi ishte se ne nuk ishim pjesë e asaj bote pasi amerikanët do të ndihmonin berlinasit perëndimorë, dhe jo ne”.

Muri do të qëndronte për 26 vjet të tjera, por në atë moment presidenti Kennedy u tregua i vendosur përballë sovjetikëve.

Më vonë ai i tha një këshilltari, “Kurrë nuk do të kemi një ditë tjetër si kjo sa të jemi gjallë.”
XS
SM
MD
LG