Lidhje

John Boehner mes dy zjarresh


Ligjvënësit republikanë mbeten të përçarë ndërsa Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve përpiqet të arrijë marrëveshje me demokratët

Ndërkohë që mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane është në javën të dytë, vëmendja vazhdon të mbetet e përqëndruar mbi Kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner. Si zëri kryesor i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, detyra e tij ishte të siguronte një fitore politike për partinë e tij mbi reformën e kujdesit shëndetësor dhe buxhetin. Por, ndërkohë që debatet vazhdojnë, shumë republikanë kanë shprehur qëndrime të ndryshme nga të tijat.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner ka shfaqur zemërim...

"Kjo nuk është një lojë..."

Ka folur me ton pajtues:

"Nuk kam vizatuar ndonjë vijë në rërë. Është koha që të ulemi dhe të zgjidhin dallimet tona."

Madje në disa raste, edhe pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë me republikanë të tjerë, ai është gjendur i vetëm, mes kolegëve të partisë që kërkojnë një qëndrim të ashpër ndaj planit të kujdesit shëndetësor të presidentit, si zoti Eric Cantor, udhëheqës i shumicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve...

"Një vit shtyrje e asaj takse është më se i drejtë duke pasur parasysh se sa e dobët ka qenë paraqitja e reformës shëndetësore."

...dhe anëtarëve të tjerë të partisë, të cilët mendojnë se mbajtja e qeverisë mbyllur është mënyrë e gabuar për të vepruar, si në rastin e ligjvënësit nga Nju Jorku Peter King.

"Sipas meje kjo strategji nuk po funksionon."

Ndarja politike brenda partisë është e thellë, me një grup prej rreth 80 ligjvënësve republikanë që këmbëngulin për shfuqizimin e programit e ri të sigurimit shëndetësor. Diçka kjo që kundërshtarët demokratë dhe Presidenti Obama e kanë përjashtuar kategorikisht. Shumica e këtyre ligjvënësve republikanë mbajnë gjithashtu një qëndrim të ashpër në lidhje me tavanin e borxhit, duke thënë se nuk do të rrisin kufirin e huamarrjes brenda afatit të 17 tetorit, duke rrezikuar që vendi të mos paguajë detyrimet.

Ndërkohë që qeveria mbetet e mbyllur, John Fortier i Qendrës së Politikave Dypalëshe thotë se ligjvënësit e linjës së ashpër duket se vazhdojnë të dominojnë debatin.

"Ata e kanë detyruar Kryetarin Boehner të sigurohet që kjo të mos jetë një përballje e lehtë dhe që dallimet të vihen mirë në pah."

Kjo qasje është pritur mirë nga votuesit e komuniteteve që zgjodhën ligjvënësit e linjës së ashpër. Steve Billet, i Universitetit George Washington, thotë se kjo nuk i jep shumë mundësi veprimi zotit Boehner.

"Asnjë nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve nuk i trembet kryetarit John Boehner. Ata nuk do të votojnë sipas kërkesave të tij, pasi ai nuk mund të bëj asgjë kundër tyre."

Ndërkohë, çdo ditë e më shumë shtohen dhe kritikat e presidentit Barak Obama.

"Bisedimet apo negociatat nuk duhet të bëhen duke kërcënuar popullin amerikan me mbyllje të qeverisë apo me kaos ekonomik."

Analistja Jennifer Duffy thotë se dikush do të duhet të dorëzohet.

"Është shumë e vështirë të arrihet një marrëveshje kur askush nuk është në tryezën e negociatave."

"E vetmja gjë që kërkojmë është të ulemi dhe të bisedojmë. "

Kjo kërkesë ende nuk ka sjellë ndryshime në këtë përballje të fundit politike në Uashington.

XS
SM
MD
LG