Lidhje

Kerry: Të papranueshme paralajmërimet e Penianit


Sekretari i Shtetit tha se Uashingtoni nuk do ta pranojë kurrë Korenë e Veriut si fuqi bërthamore

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry hodhi poshtë si të papranueshme paralajmërimet e Penianit për luftë bërthamore dhe tha se Uashingtoni nuk do ta pranojë kurrë Korenë e Veriut si fuqi bërthamore. Zoti Kerry i bëri komentet sot në Seul, gjatë një konference për gazetarët.

Zoti Kerry komentoi pas një takimi me Presidenten jugkoreane Park Geun Hye. Ai tha se retorika e Koresë së Veriut është e papranueshme nga çdo pikëpamje:

"Ne jemi të gjithë të bashkuar rreth faktit se Korea e Veriut nuk do të pranohet kurrë si fuqi bërthamore," tha zoti Kerry.

Zoti Kerry u takua gjithashtu me krerët e kontingjentit amerikan prej 28 mijë trupash të stacionuar në Korenë e Jugut. Ai tha se Shtetet e Bashkuara do të mbrojnë aleatët e tyre në rajon nëse kjo do të jetë e nevojshme.

"Varet nga Kim Jong Un se çfarë do të vendosë të bëjë. Kjo nuk do ta ndryshojë qëndrimin tonë, i cili është shumë i qartë. Ne do të mbrojmë aleatët tanë. Kim Jong Un duhet ta kuptojë, dhe mendoj se ndoshta e e kupton, se cili do të ishte rezultati i një konflikti," tha Sekretari amerikan i Shtetit.

Prej disa javësh, Koreja e Veriut vazhdon të bëjë kërcënime ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, duke u kanosur madje me luftë termobërthamore.

Vizita e zotit Kerry në Seul përkon me përgatitjet që po bëhen në Korenë e Veriut për të festuar të hënën përvjetorin e ditëlindjes së themeluesit të saj, Kim Ir Sen, një pretekst i mundshëm ky për një demonstrim force nga ana e vendit komunist.

Janë shprehur hamendje se Peniani mund të kryejë lëshimin e një rakete me rreze të mesme veprimi, pas njoftimeve nga Seuli dhe Uashingtoni se raketat koreanoveriore janë dislokuar në vendet e duhura.

Zoti Kerry tha se udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un do të bënte një gabim të madh nëse raketa lëshohej.

Pak orë para arritjes së tij, Agjencia amerikane e Zbulimit të Mbrojtjes tha se Korea e Veriut zotëron një armë bërthamore të montueshme në një raketë. Megjithatë, ky vlerësim u hodh poshtë menjëherë nga disa zyrtarë amerikanë si dhe nga Korea e Jugut.
XS
SM
MD
LG