Lidhje

Uashington, shërbesë përkujtimore për senatorin John McCain


Familjarë, miq dhe ish kolegë ishin në mesin e qindra njerëzve që morën sot pjesë në shërbimin përkujtimor për Senatorin e Arizonës John McCain, në Katedralen Kombëtare të Washingtonit.

Dy ish presidentë, Republikan George W. Bush dhe ai demokrat Barack Obama folën në ceremoninë, që McCain e kishte planifikuar që gjatë periudhës kur ai luftonte me kancerin në tru. Zoti McCain nuk mundi të sigurojë emërimin e partisë së tij republikane në vitin 2000, që e fitoi zoti Bush dhe në vitin 2008 ai i humbi zgjedhjet presidenciale ndaj rivalit të Partisë Demokrate, Obama.

Ish-Presidenti Barack Obama tha se ai dhe George W. Bush ishin me fat që konkurruan me John McCain-in për Shtëpinë e Bardhë. “Ai na bëri presidentë më të mirë, ashtu siç e bëri Senatin më të mirë, ashtu siç e bëri më të mirë këtë vend”. “Kanceri nuk e frikësoi”, dhe “...ai kurrë nuk humbi optimizmin e tij, për jetën”. tha presidenti Obama.

Barack Obama denoncoi gjendjen aktuale të politikës amerikane duke e përshkruar atë “të ulët dhe mjerane”, gjatë fjalës që mbajti në ceremoninë e mbajtur sot në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit, në ditën e katërt të zisë për heroin e luftës, Senatorin John McCain.

Ish Presidenti Barack Obama
Ish Presidenti Barack Obama

“A nuk është ajo çfarë festojmë këtë javë fryma e të përpjekurit për të qenë më të mirë, për të bërë gjëra më të mira, për të qenë të denjë për trashëgiminë që ngritën themeluesit tanë?”, shtroi pyetjen zoti Obama, ndërsa mbante eulogjinë për mikun dhe shpesh kundërshtarin e tij politik.

“Shumë prej politikës sonë, jetës sonë publike, debatit tonë publik mund të duket e vogël, e ligë, dhe e ulët, e mbytur në deklarime bombastike, fyerje dhe kundërshti false, si dhe inate të sajuara”, tha zoti Obama.

Pa e përmendur me emër Presidentin Donald Trump, zoti Obama shtoi: “Është një politikë që shtiret si e guximshme dhe e fortë, por në fakt është e lindur prej frikës. John-i na bëri thirrje të gjithëve të ngrihemi përtej kësaj. Ai na bëri thirrje të jemi më të mirë se kaq”.

Ish-Presidenti George W. Bush tha se Senatori John Mc Cain do të kujtohet me mirënjohje për shërbimin e tij ndaj vendit, si një burrë me kod moral, për tiparet e tij, kurajon, ndershmërinë dhe dashurinë që kishte për lirinë.

Ish Presidenti George Bush
Ish Presidenti George Bush

Në eulogjinë e tij, zoti Bush, tha se McCain “ishte i respektueshëm; kishte gjithnjë parasysh se kundërshtarët e tij ishin sidoqoftë patriotë dhe qenie njerëzore”.

Por, edhe zoti Bush, në vazhdim të fjalës së tij, e konsideroi të papranueshme status quo-në e politikës në Uashington, të cilën e përkufizoi si të kundërtën e pikëpamjeve personale të zotit McCain.

“Ai respektonte dinjitetin e mishëruar në çdo qenie njerëzore, një dinjitet që nuk ndalet tek kufijtë dhe që nuk mund të fshihet nga diktatorët. Ndoshta mbi gjithçka tjetër, John urrente abuzimin me pushtetin”, tha zoti Bush.

Përveç presidentëve Obama and Bush, fjalime lamtumire mbajtën Senatori Lindsey Graham, ish Sekretari i Shtetit Henry Kissinger, që ishte edhe këshilltari i Presidentit Nikson për Luftën e Vietnamit anëtarë të familjes së Senatorit McCain. Në fjalimet e tyre ata theksuan kontributin e zotit McCain për vendin dhe cilësitë e tij të veçanta morale.

Meghan McCain duke folur në ceremoni
Meghan McCain duke folur në ceremoni

Meghan, e bija e zotit McCain, gjithashtu i bëri nderimet babait të saj nëpërmjet një reference pa emër ndaj Presidentit Trump dhe motos së tij “ta bëjmë Amerikën sërish madhështore”.

“Amerika nuk mburret pasi nuk e ka të nevojshme. Amerika e John McCain-it nuk ka nevojë të bëhet sërish madhështore, pasi Amerika është përherë madhështore”, tha ajo mes duartrokitjeve.

“Jetojmë në një epokë kur rrëzojmë heronjtë e vjetër amerikanë për shkak të mangësive të tyre, ndërkohë që asnjë udhëheqës nuk dëshiron të pranojë vetë fajet apo dështimin e tyre”, tha Meghan McCain, ndërsa shtoi se babai i saj ishte “një përjashtim dhe se na dhe një ideal për të cilin të luftojmë”.

Kortezhi u nis të shtunën nga ndërtesa e Kapitolit, drejt Katedrales Kombëtare dhe bëri një ndalesë tek Memoriali i Luftës së Vietnamit, ku bashkëshortja e zotit Mc Cain vendosi një kurorë për nder të atyre që humbën jetën në këtë luftë.

Dje, qindra anëtarë të Kongresit ndoqën ceremoninë, përpara arkivolit në Kapitol, një nder që u është rezervuar vetëm 30 amerikanëve në të gjithë historinë e vendit.

Arkivoli mbështetej mbi një katafalk prej druri, që u përdor për herë të parë në vitin 1865, për të vendosur arkivolin e presidentit të vrarë Abraham Lincoln. Presidenti Donald Trump nuk u ftua në ceremoninë e së premtes, apo në funeralin që mbahet të shtunën, një vendim që është parë nga shumë njerëz si kritikë ndaj zotit Trump.

Në ceremoninë e Kapitolit, foli megjithatë nënpresidenti Pence, ndërsa zyrtarë të tjerë të administratës ishin të pranishëm. Të pranishëm ishin edhe e veja e zotit McCain, Cindy, shtatë fëmijët e tij dhe nëna e tij 106-vjeçare, Roberta McCain. "Gjithmonë do të kujtojmë se John McCain i shërbeu vendit dhe se i shërbeu me nder vendit të tij," tha zoti Pence.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan e përshkroi senatorin McCain si "një nga shpirtrat më të guximshëm që ka prodhuar ndonjëherë Amerika".

Pas ceremonisë të së premtes, trupi i senatorit McCain qëndroi në Kapitol për homazhe nga publiku. Pranë arkivolit të mbuluar me flamurin amerikan qëndronte një roje nderi e Kapitolit.

Ndër shoqëruesit në banesën e fundit të John McCain-it radhiteshin aktori Warren Beatty, ish-Nënpresidenti Joe Biden, ish-kryetari i bashkisë i Nju Jorkut Michael Bloomberg, si dhe disidenti rus Vladimir Kara-Murza.

Në një letër lamtumire drejtuar kombit, zoti McCain shkruante: “E dobësojmë madhështinë tonë kur ngatërrojmë patriotizmin me rivalitetet tribale që kanë mbjellë fyerje, urrejtje dhe dhunë në mbarë cepat e globit. E dobësojmë kur fshihemi pas mureve të larta, në vend që t’i shembim ato; kur vëmë në dyshim fuqinë e idealeve tona, në vend që të besojmë se ato do të jenë forca e madhe për ndryshim, siç kanë qenë gjithnjë”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG