Ish-ambasadori amerikan në Kinë Jon Hunstman tha se heq dorë nga gara për të fituar emërimin e Partisë Republikane si kandidat për president. Ai e bëri njoftimin në një konferencë shtypi në Karolinën e Jugut.
Zoti Jon Huntsman tha se tërhiqej nga gara për të mos u bërë pengesë për kandidatin tjetër republikan Mitt Romney, i cili kryeson garën.
Zoti Huntsman u bëri thirrje kandidatëve të tjerë republikanë të mos sulmojnë njëri-tjetrin por t’i ruajnë energjitë e tyre në rrugën për të sfiduar presidentin demokrat, Barak Obama. Përçarja, tha ai, nuk i shërben interesave të vendit.
Njoftimi i zotit Huntsman nënkupton se ish guvernatori i shtetit Massachusetts Mitt Romney është një hap më afër emërimit si kandidati republikan për president.
Zoti Huntsman ashtu si zoti Romney, i përket gjithashtu besimit mormon dhe është konservator i moderuar.
Njoftimi i tij vjen pasi gazeta më e madhe e shtetit të Karolinës së Jugut shprehu mbështetje për kandidaturën e zotit Huntsman.
Huntsman kishte vendosur të mos konkurronte në shtetin e parë ku u bënë votimet - Iowa dhe t’i përqendronte forcat në garën e dytë në shtetin New Hampshire. Megjithatë, ai u rendit i treti në New Hampshire, pas Romney-it dhe kongresmenit nga Texasi, Ron Paul.
Në garën republikane mbeten tani pesë kandidatë: Romney, Paul, Santorum, Gingrich dhe Perry. Zoti Romney shkon në garën e 21 janarit në Karolinën e Jugut me fitoret e arritura në dy shtete. Kandidatët do të zhvillojnë sonte një debat në televizion.