Jean-Claude Juncker mori mbështetje të gjerë sot në Parlamentin Evropian për të qenë kreu i ardhshëm i Komisionit Evropian. Ai shpalli në Parlament një program investimesh për të nxitur rigjallërimin e ekonomisë evropiane.
Zo Juncker mori mbështetje nga socialistët dhe liberalët, si dhe nga blloku i tij i qendrës së djathtë, më i madhi në Parlamentin Evropian.
Pas votimit në Strasburg, Presidenti i Parlamentit Evropian Martin Schulz, shpalli rezultatin:
"Janë 422 vota në favor të Jean-Claude Juncker dhe 250 kundër tij," tha zoti Schulz.
Ndryshe nga reputacioni i tij si zyrtar që i bën marrëveshjet në prapaskenë, zoti Juncker parashtroi me pasion ambicien e tij për të "ri-industrializuar" Evropën dhe për të vënë përsëri në punë 25 milionë të papunët e Bashkimit Europian, shumë prej tyre të rinj.
Ai premtoi një program investimesh publike dhe private prej 300 miliard dollarësh gjatë tre viteve të ardhshme, duke kombinuar burimet ekzistuese të buxhetit të BE-së dhe Bankës Evropiane të Investimeve me fonde të sektorit privat, për të ndërtuar rrjete moderne energjitike, të transportit dhe kibernetikës. "Ne kemi nevojë për një ri-industrializim të Evropës," tha ish-kryeministri 59 vjeçar i Luksemburgut.
"Do të dëshiroja që gjatë tre viteve të ardhshme, të kemi mobilizuar 300 miliard dollarë si investime publike dhe private. Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do të isha mirënjohës nëse Parlamenti do të më përkrahte në këtë çështje," tha zoti Juncker.
Posti që merr zoti Juncker është më i fuqishmi në Bashkimin Evropian. Komisioni propozon dhe zbaton ligje për 500 milionë evropianëv, nga Irlanda në perëndim deri te Lituania në lindje.
Zoti Juncker e pranoi se shumë evropianë kanë humbur besimin te BE-ja. Ai tha se vetëm rezultatet ekonomike dhe punësimi i plotë e jo debatet pafund për institucionet e BE-së, do të rikthejnë besimin e njerëzve.
Ai pritet ta marrë zyrtarisht postin më 1 nëntor, nëse nuk do të ketë vonesa në formimin e Komisionit prej 28-anëtarësh. Anëtarët e Komisionit Evropian do t'i nënshtrohen seancave të konfirmimit në muajin shtator, pastaj një votëbesimi të përgjithshëm në tetor.
Ndërkohë, diplomatët thonë se ministrja e jashtme italiane, Federica Mogherini është në krye të listës së kandidatëve për postin e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian. Kandidat tjetër i fortë për këtë post është ministri i Jashtëm i Polonisë Radoslaw Sikorski. Diplomatët përmendin si kandidate të mundshme edhe bullgaren Kristalina Georgieva, komisionere për Bashkëpunimin Ndërkombëtar.