Lidhje

Sulm vetëvrasës në Kabul - dhjetëra të vrarë


Një sulm vetëvrasës në një ndërtesë në kryeqytetin afgan në të cilën është e vendosur qendra kulturore e myslimanëve shiit, la pas vetes dhjetëra të vrarë e të plagosur.

Nusrat Rahimi, nga ministra e Brendshme i konfirmoi Zërit të Amerikës se 40 veta janë vrarë dhe 30 të tjerë janë plagosur dhe se druhet që numri i viktimave mund të rritet.

Dëshmitarët thanë se sulmuesi hodhi veten në erë afër një takimi në katin përdhes të ndërtesës së qendrës kulturore Tebyan, pak para dy mjete të tjera të vendosura më parë, të shpërthejnë njëra pas tjetrës.

Mohammad Sabir Nasib, drejtor i spitalit në Kabul, i tha Zërit të Amerikës se kanë pranuar 11 trupa dhe 18 të plagosur rëndë, duke theksuar se numri i viktimave mund të rritet. Në mesin e viktimave kishte edhe gra, tha ai.

Agjencia Zëri i Afganëve, një organizatë mediale, është e vendosur në atë ndërtesë. Agjencia Reuters raportoi se të paktën një gazetar është në mesin e të vrarëve.

Grupi Shteti Islamik mori përsipër përgjegjësinë. Edhe në të kaluarën, sulmet mbi tempujt shiit në Kabul dhe zonat tjera në Afganistan janë marrë përsipër nga grupi militant Shteti Islamik.

Misioni i NATO-s e dënoi sulmin nëpërmjet një komunikate.

"Përparimi kulturor dhe liria e fjalës nuk do të pengohen. Armiqtë tanë të përbashkët duhet ta dinë se nuk do të fitojnë dhe populli afgan nuk do të heshtet", thuhet në komunikatën e misionit që kryesisht përbëhet nga trupat amerikane.

Kryengritësit talibanë janë distancuar nga sulmi, duke theksuar se ata nuk vënë në shënjestër ndërtesat civile, posaçërisht ato në të cilat janë vendosur qendrat arsimore e kulturore.

Ndërkohë, gjatë natës në shpërthim në krahinë Balkh në veri u vranë të paktën gjashtë fëmijë. Incidenti ndodhi në qarkun Dawlatabad. Autoritetet thanë se viktimat kishin gjetur një mjet të improvizuar të vendosur nga militantët dhe po luanin me të kur ajo shpërtheu.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG