Lidhje

Kajro: Ushtria heq tendat nga sheshi, qyteti i kthehet normalitetit


Kajro: Ushtria heq tendat nga sheshi, qyteti i kthehet normalitetit
Kajro: Ushtria heq tendat nga sheshi, qyteti i kthehet normalitetit

Kryeministri i Egjiptit Ahmed Shafik thotë se përparësia e kabinetit të tij me mbështetjen e ushtrisë është kthimi i sigurisë dhe i një jete normale në vend, pas 18 ditë protestash që detyruan largimin nga pushteti autoritar presidentin Hosni Mubarak.

Zoti Shafik tha se objektivi afatgjatë i qeverisë së tij është rritja e standarteve të arsimit. Ai tha se ende ka disa vende bosh në kabinetin e tij dhe premtoi se ministrat e rinj do të jenë njerëz të pëlqyeshëm nga publiku.

Ndërkohë, trupat egjiptiane u ndeshën sot me protestuesit e mbetur në sheshin Tahrir të Kajros, tani që jeta në kryeqytet po i kthehet normalitetit pas largimit të ish presidentit Hosni Mubarak. Ndërkohë, grupe të ndryshme të protestuesve kanë paraqitur listën e parë të plotë të kërkesave për kalimin në demokraci.

Në sheshin Tahrir të Kajros, ushtarët dhe policia ushtarake hoqën tendat e përkohshme të ngritura prej ditësh nga protestuesit duke u përleshur me disa të rinj që nuk pranonin të iknin.

Shumë banorë u bënin thirrje protestuesve duke u thënë se kishte ardhur koha të largoheshin nga sheshi.

Sot, numri i njerëzve në shesh ishte pakësuar në disa mijra, nga rreth 250 mijë që arriti kur protesta ishte në kulmin e saj.

Sunduesit e rinj ushtarakë kanë premtuar se do t’i përmbahen traktatit të paqes me Izraelin dhe se do t’i dorëzojnë pushtetin një qeverie të zgjedhur, por disa protestues shqetësohen se reformat që kanë kërkuar prej kohe nuk do të realizohen nëse heqin dorë.

Sot, për herë të parë pas protestave, trafiku nisi të lëvizë lirisht në qendër të Kajros, megjithëse disa aktivistë u përpoqën t’i pengojnë automjetet.

Tensionet e sotme tregojnë se gjendja mbetet ende e brishtë ndërkohë që protestuesit kërkojnë të kenë zërin e tyre në procesin e lëvizjes së vendit drejt demokracisë.

Dëshmitarë okularë në shesh thanë se disa ushtarë i rrahën protestuesit me shkopinj gjatë përpjekjeve për të pastruar sheshin Tahrir.

“Ne nuk duam që ushtria të marrë kontrollin. Ne thjesht duam që ata të ruajnë gjatë kohës që njerëzit presin plotësimin e kërkesave të popullit,” thotë Mohamad Shahin.

Disa grupe protestuesish kanë kërkuar të jenë ata dhe jo ushtria apo pjestarë të regjimit të Mubarakut që të venë vend në tryezën e bisedimeve për të vendosur të ardhmen politike të Egjiptit.

Tani për tani, Këshilli Suprem i Forcave të Armatosura është autoriteti zyrtar i vendit pas dorëheqjes së ish presidentit Mubarak.

Deri tani, këshilli i gjeneralëve nuk ka thënë gjë se si do të bëhet kalimi drejt demokracisë apo si do të zgjidhen kërkesat e protestuesve.

XS
SM
MD
LG