Afati për protestuesit e Lëvizjes Zaptimi që të përfundonin qëndrimin e tyre me tenda në dy kampe këtu në Uashington ka përfunduar. Situata filloi të përshkallëzohej javën e kaluar kur zyrtarët e Shërbimit Kombëtar të Parqeve u thirrën para Kongresit për të dhënë shpjegime pse protestuesit e Lëvizjes Zaptimi po lejoheshin të qëndronin në mënyrë të paligjshme në parqe. Si përgjigje Shërbimi i Parqeve u dha urdhër protestuesve që të përfundonin qëndrimin e tyre me tenda brenda ditës së hënë.
Ditën që Policia e Parqeve kishte planifikuar të vinte në zbatim urdhërin për lirimin e parqeve, në sheshin McPherson të Uashingtonit atmosfera ishte festive.
Disa hidhnin parrulla të lëvizjes. Të tjerë prisnin mesditën, ora e përfundimit të afatit.
John Zangas ka jetuar në këtë tendë prej katër muajsh. Ai thotë se do të paketojë disa nga gjërat e tij.
“Unë do t’a respektoj ligjin ashtu si e kuptoj unë atë. Mua nuk më lejohet të kem pajisje kampingu, ose ato lloje pajisjesh që mund të përdoren për të qëndruar në kamp. Me sa kuptoj unë, nëse çadra është e hapur dhe nuk jam duke fjetur në të, unë mund të vazhdoj të qëndroj këtu.”
Javën e kaluar, policia lajmëroi banorët e dy kampeve të Lëvizjes Zaptimi në Uashington se do të merrte masa për zbatimin e urdhërit. Protestuesit duhet të hiqnin materialet për qëndrimin në kamp, por ata mund të mbanin disa struktura, nëse ato ishin të hapura.
Të shtunën dhe të dielën, në Okland të Kalifornisë u arrestuan më tepër se 400 vetë, kur grupe anarkistësh, fare pak të lidhur me lëvizjen Zaptimi, u përleshën me policinë.
Por Desiree Deloach dhe protestuesit në Uashington thonë se ata nuk duan që një gjë e tillë të ndodhe edhe këtu. Ajo thekson se lëvizja Zaptimi, që kërkon më tepër barazi ekonomike, është paqësore.
“Me sa kam parë unë, të gjithë janë paqësorë. Shumica prej nesh kanë paketuar gjërat e tyre. Disa të tjerë nuk e kanë bërë një gjë të tillë dhe ata do të bëjnë rezistencë.”
Ndërkohë që afati po afronte, qindra njerëz u mblodhën rreth statujës së James McPherson, një gjeneral i Luftës Civile Amerikane.
Më pas, protestuesit e mbuluan statujën për të simbolizuar atë që ata thonë se është e drejta e tyre për të qëndruar aty me tenda.
Johnny Mandreacchia thotë se edhe nëse hiqen tendat e tyre, lëvizja do të vazhdojë:
“Lëvizja nuk do të përfundojë vetëm sepse nuk do të kemi zaptuar këtë hapësirë. Ajo që ne po mundohemi të arrijmë është të tërheqim vëmendjen.”
Problemi, mbi të cilin ata duan të tërheqin vëmendje, është hendeku i thellë midis të pasurve dhe të varfërve në Shtetet e Bashkuara.