Shoferët e kamionëve në Greqi bllokuan dy autostrada kryesore që të çojnë në Athinë dhe u përleshën me policinë përpara parlamentit për të protestuar kundër miratimit nga deputetët të një projektligji që do ta hapte për konkurencë industrinë e transportit.
Sot ishte dita e dhjetë rradhazi e protestave kundër reformave të tregut të punës nga qeveria socialiste.
Disa qindra shoferë kamionësh u përpoqën të kalonin barrikadën e sigurisë përreth ndërtesës së parlamentit në Athinë. Protestuesit hodhën shishe, gurë dhe shkopinj druri kundër policisë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës.
Po sot, deputetët grekë ranë dakort të ndyshojnë sistemin prej disa dekadash që ndalon shoferë të rinj të kamionëve të marrin liçencë.
Projektligji pritej të fitonte një miratim përfundimtar në një votim të dytë në parlament, ku qeveria ka një shumicë të kënaqshme.