Lidhje

Karzai urdhëron largimin e forcave të posaçme amerikane nga provinca Wardak


Kjo bëhet në përgjigje ndaj akuzave që ato forca ose aleatët e tyre afganë mund të kenë kryer shkelje të të drejtave të njeriut ndaj civilëve

Presidenti afgan Hamid Karzai urdhëroi largimin e të gjitha forcave të posaçme amerikane nga një provincë lindore si përgjigje ndaj akuzave që ato forca ose aleatët e tyre afganë mund të kenë kryer shkelje të të drejtave të njeriut ndaj civilëve.

Në një deklaratë sot, zyra e zotit Karzai tha se një hetim qeveritar i incidenteve të sigurisë në provincën Wardak, arriti në përfundimin se persona të armatosur të dyshuar për lidhje me Forcat Speciale amerikane ishin angazhuar në “ngacmime, bezdisje, turturime dhe madje edhe vrasjen e personave të pafajshëm”. Po ashtu në deklaratë thuhej se Ministria e Brendshme afgane do të ndërmarrë hapa për t’u siguruar që forcat speciale amerikane të largohen brenda dy javësh.

Është hera e parë që presidenti afgan nxjerr një urdhër të tillë kundër forcave të Shteteve të Bashkuara, një aleat kyç që ka ndihmuar Kabulin për mbi një dekadë në luftën kundër kryengritjes talebane.

Një zëdhënës i forcave amerikane në Afganistan tha se është në dijeni të njoftimeve për urdhrin e zotit Karzai.
XS
SM
MD
LG