Lidhje

Marrëveshja e sigurisë SHBA-Afganistan


Presidenti afgan, Hamid Karzai tha se e mbështet marrëveshjen e sigurisë e arritur me Shtetet e Bashkuara, e cila bën të mundur qëndrimin e forcave amerikane në Afganistan deri në vitin 2024 e ndoshta edhe më gjatë. Por zoti Karzai shtoi se marrëveshja ka shumë të ngjarë të mos nënshkruhet deri sa afganët të zgjedhin presidentin e ri në muajin prill. Në një fjalim plot emocione para 2 mijë e 500 udhëheqësve fisnorë, të komunitetit dhe ata të zgjedhur, Presidenti Karzai e mbrojti marrëveshjen, duke thënë se ajo do të ishte me përfitime afatgjata për Afganistanin.

Presidenti afgan, Hamid Karzai i bëri thirrje asamblesë së kryetarëve të fiseve që të miratojnë një marrëveshje sigurie me Shtetet e Bashkuara, duke thënë se ajo do të lejonte qëndrimin e 10 deri 15 mijë trupave në Afganistan pas tërheqjes së trupave të NATO-s në fund të vitit të ardhshëm. Por, Presidenti Karzai u tha udhëhqësve fisnorë dhe atyre të komunitetit se ekziston pak besim mes të dy vendeve.

“Besimi im te Amerika nuk është i mirë, unë nuk u besoj amerikanëve dhe ata nuk më besojnë mua. Gjatë 10 vjetëve të kaluara kam debatuar me ta rreth sigurisë së popullit tonë dhe kontrolleve të shtëpive të njerzve tanë, ndërkohë që ata kanë bërë propagandë kundër meje”.

Një ditë para se zoti Karzai të paraqiste marrëveshjen e sigurisë, Sekretari i Shtetit, John Kerry tha se varet nga asambleja e udhëheqësve fisnorë që të konfirmojnë marrëveshjen.

“Ne kemi rënë dakord mbi gjuhën që do t’i paraqitet këshillit Loja Gjirga, por ata duhet ta miratojnë, prandaj nuk është e përshtatshme për mua që të komentoj rreth hollësive të marrëveshjes. E ardhmja e marrëveshjes varet nga populli i Afganistanit”.

Këshilli i Pleqve të Afganistanit me mijëra anëtarë do të mblidhet nën masa të rrepta siguria. Loja Gjirga duhet të miratojë marrëveshjen e sigurisë para se ajo t’i kalohet parlamentit afgan për të votuar.

Marrëveshja me Afganistanin do të administrojë praninë e trupave amerikane në atë vend pas 2014-tës.

Marrëveshje dypalëshe e sigurisë shikohet si një element jetik për paqen afatgjatë në Afganistanin e shkatërruar nga lufta, ku dhuna e nxitur nga Talebanët është shtuar kohët e fundit.
XS
SM
MD
LG