Lidhje

Madridi dhe Katalonja të mbërthyer në një lojë politike


Separatistët katalonjas po hartojnë plane për rezistencë paqësore ndaj një qeverisjeje të drejtpërdrejtë nga Madridi. Brenda pak ditësh, qeveria spanjolle pret të marrë miratimin nga parlamenti për të reduktuar autonominë e rajonit të Katalonjës. Por separatistët katalonjas janë zotuar të pengojnë përpjekjet e Madridit për të shkatërruar strukturat e qeverisjes rajonale:

Separatistët katalonjas janë betuar që t’i përgjigjen dislokimit të forcave të policisë kombëtare me “një mur njerëzish”. Ata po ashtu kanë paralajmëruar se zyrtarët që do të dërgojë Madridi në Katalonjë për të drejtuar forcat e policisë kombëtare, apo strukturat e taksimit, si dhe për të menaxhuar stacionet e medias publike, do të ndeshen me rezistencë dhe mosbindje.

Të shtunën, Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy njoftoi se kishte kërkuar aktivizimin e Nenit 155 të kushtetutës, sipas të cilit qeveria qendrore mund të ndërhyjë dhe të marrë në dorë qeverisjen e Katalonjës.

Presidenti i Katalonjës Carles Puigdemont po atë ditë i kërkoi parlamentit të hapte një debat dhe të lejonte një votë lidhur me planet e qeverisë qendrore. Komentet e tij u panë si një kërcënim i nënkuptuar për të shpallur zyrtarisht pavarësinë, pasi më parë ai deklaroi një ngrirje të planeve, siç duket për të fituar kohë për negociata.

Qeveria spanjolle ka siguruar mbështetjen e opozitës në përpjekjet për të shpërndarë parlamentin e Katalonjës dhe për të zhvilluar në këtë rajon zgjedhje të parakohëshme. Luis Corominas, zëdhënës i partisë “Së Bashku për Po” thotë se kryeministri po i acaron gjërat me vendimin e tij:

“Mos mendon zoti Rajoy se duket urdhëruar zgjedhje në Katalonjë, duke mos përfillur Kushtetutën do të zgjidhë gjë? Çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve për rajonin autonom? A ka në plan Rajoy të burgosë të 3 milionë katalonjasit që votuan për pavarësi? Ai ka bërë zgjedhjen më të keqe. Ekziston vetëm një zgjidhje: ajo është zgjidhja që ka ofruar prej muajsh Presidenti Puigdemont. Ne kërkojmë dialog, siç kemi kërkuar që në fillim. Më pak mungesë respekti dhe agresion”.

Qeveria qendrore ka thënë se nuk mund të ketë dialog kur pavarësia mbetet opsion i hapur dhe po përpiqet të shkarkojë të gjithë zyrtarët e lartë katalonjas dhe të organizojë zgjedhje të parakohëshme brenda gjashtë muajsh.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG