Lidhje

Kujtohet Servantesi në 400 vjetorin e vdekjes


23 prilli u shpall nga UNESCO si Dita Ndërkombëtare e Librit, për të shënuar rëndësinë e fjalës së shkruar. Kjo ditë përkon këtë vit me 400 vjetorin e vdekjes së dy prej shkrimtarëve më të mëdhenj botërorë - Shekspiri dhe Servantesi. Javën e kaluar ju folëm për Shekspirin, ndërsa sot do t'ju flasim për Servantesin, për të cilin edhe pse njihet si një figurë e famshme e kulturës spanjolle, shumë pak vetë dinë hollësi për jetën e tij.

Një ekspozitë risjell në mendje aventurat e Don Kishotit dhe të Sanço Panços, si dhe autorin e veprës, Miguel de Servantes Saavedra, një nga shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore.

Aventurat e Don Kishotit të Mançës dhe shërbëtorit të tij Sanço Pança janë lexuar në të gjithë botën… Dhe tani 3,000 blloqe shënimesh dhe libra po ndriçojnë oborrin e shtëpisë së tij të lindjes, në Alcala de Henares.

Por, Servantesi nuk pati sukses në jetë. Disa thonë se ai i kishte zili shkrimtarët e tjerë, si Lope de Vega. Në atë periudhë, që njihet si Epoka e Artë e letërsisë spanjolle, suksesi lidhej me teatrin. Njerëzit shkonin atje, ngaqë, mes të tjerash, nuk kishte nevojë të lexoje.

"Miguel de Servantes nuk pati sukses në teatër, por vetëm pasi botoi Don Kishotin në vitin 1605. Ai mori famë botërore jo vetëm në Madrid dhe në Spanjë. Tetë vjet pas botimit të parë, romani u botua të paktën 6 herë të tjera në Gadishullin Iberik dhe më pas edhe në Bruksel, Itali, Londër dhe Paris. Kjo pati një ndikim të rëndësishëm," thotë Jose Francisco Castro, përgjegjësi për shtypin në Shtëpinë Botuese "Juan de la Cuesta".

Fillimisht u botuan rreth 1,500 kopje të Don Kishotit, sipas formatit të shtypit të shekullit të 16. Edhe pse formati ishte shumë i madh, libri u shit menjëherë. Pastaj, ai botua përsëri disa herë në Spanjë dhe në mbarë Europën.

Megjithatë, Servantesi vdiq i varfër dhe në harresë të plotë. Por, romani I tij "Don Kishoti" është një kryevepër e letërsisë spanjolle dhe një nga veprat më të rëndësishme të kulturës botërore, që njihet edhe si romani i parë modern.

"Çdo lexues në botë që njeh imazhin, apo figurën e Don Kishotit: një burrë i dobët mbi një kalë kockë e lëkurë, pranë një burri të shëndoshë mbi një gomar, e di se ata janë Don Kishoti dhe Sanço Pança. Por, kë përfaqësojnë ata? Përse është i rëndësishëm ky roman? Sepse në të janë përfaqësuar tre parimet e Iluminizimit, që mishërojnë tiparet më të mira të njerëzimit: liri, barazi, vëllazëri", thotë shkrimtari spanjoll Andres Trapiello.

Trapiello mendon se Don Kishoti është shkruar kaq mirë, saqë librin mund ta hapësh në çdo faqe dhe të fillosh ta lexosh atë pa patur nevojë të dish subjektin e tij.

Për më tepër, pasi e ka përkthyer me shumë besnikëri romanin në spanjishten moderne, shkrimtari Andres Trapiello është i mendimit se suksesi i Don Kishotit është realizuar falë mënyrës se si e shikon botën Servantesi.

"Mënyra se si e sheh Servantes botën është impresionuese: me shumë humor, por njëkohësisht në mënyrë melankolike. Ai është një njeri plot mëshirë dhe pasionant, por njëkohësisht ai nuk hedh poshtë ironinë, apo ligësinë. Servantesi, sigurisht që është një njeri që nuk i gjykon të tjerët dhe ai e shikon realitetin duke buzëqeshur", thotë Trapiello.

Por, megjithë vlerat e jashtëzakonshme, shumë spanjollë pranojnë se Don Kishoti është një vepër e vështirë për t'u lexuar. Sipas një ankete të qershorit të vitit të kaluar të Qendrës për Kërkime Sociologjike, vetëm dy në dhjetë spanjollë thonë se e kanë lexuar deri në fund Don Kishotin. Gjysma e të anketuarve nuk e dinin as emrin e vërtetë të personazhit kryesor të librit, Alonso Quijano.

Kjo është arsyeja përse disa nga botuesit e veprës, si Destino, e kanë përshtatur kryeveprën e Servantesit, që ai t'i pëlqejë edhe lexuesve të rinj. Botues të tjerë, si Dibbuks e kanë paraqitur atë si një libër komik, për të treguar historinë e Don Kishotit dhe jetën e Servantesit. Dramaturgu dhe karikaturisti Miguel Gómez Andrea, i njihur si Gol, ka krijuar një dramë për të treguar jetën e Servantesit. Ai donte të tregonte procesin e krijimit të Don Kishotit dhe marrëdhënien imagjinare të Servantesit me personazhet e tij.

Në Madrid ndodhet një lagje historike, e njohur si "magja e letërsisë", ngaqë atje kanë jetuar Servantesi dhe shkrimtarë të tjerë spanjollë. Këto ditë, atje po zhvillohen aktivitete të ndryshme për të kujtuar 400 vjetorin e vdekjes së shkrimtarit të madh.

Parlamenti spanjoll ka ftuar aktorë të njohur dhe këngëtarë të muzikës Flamenko, si Jose Luis Gomez dhe Manuel Cuevas, për të interpretuar Don Kishotin. Me rastin e këtij përvjetori, po ashtu i kanë vendosur syze leximi skulpturave të luanëve që ruajnë derën kryesore të Parlamentit.

Qeveria spanjolle, ka vendosur një kurorë para pllakës së varrit të Servantesit, në Manastirin "Barefoot Trinitarians", ku shkrimtari pati kërkuar të varrosej në vitin 1616 - një tjetër gjest për të nderuar Servantesin, shkrimtarin spanjoll, të cilin e kanë krahasuar me Homerin, Shekspirin dhe Danten.

Servantes vdiq më 22 prill të vitit 1616 në Madrid. William Shakespeare vdiq më 23 prill të po atij viti në Stratford-upon-Avon, të Anglisë.

XS
SM
MD
LG