Lidhje

Gjen. Keane: Frenimi i Iranit, në thelb të vendimit të Presidentit Trump


Gjenerali në pension Jack Keane, ish-zëvendës shef i shtabit të Ushtrisë Amerikane, thotë se strategjia e re për Iranin e administratës së Presidentit Trump, bazohet tek rreziku global që paraqesin ambicjet dhe veprimet e Teheranit, jo thjesht tek programi i armëve bërthamore. Në një intervistë ekskluzive për shërbimin serb të Zërit të Amerikës, gjenerali Keane foli për planet e Iranit për mbizotërimin e rajonit të Lindjes së Mesme. Ai foli me gazetaren Jela De Franceschi.

Ish-zëvendës shefi i shtabit të Ushtrisë Amerikane, Gjenerali me katër yje në pension Jack Keane, shpjegon strategjinë e Iranit për të dominuar rajonin e Lindjes së Mesme duke goditur dhe mënjanuar të gjitha interesat amerikane në rajon.

“Iranianët janë duke marrë nën kontroll të plotë Sirinë. Po krijojnë një zonë kalimi nga Irani, përmes Irakut, Sirisë, drejt Libanit dhe më tej Mesdheut. Në vazhdim do të izolojnë gjeografikisht Izraelin dhe do të sabotojnë vendet sunite arabe. Kjo ishte arsyeja përse Irani përdori vasalët e tij, huthitë, për të rrëzuar qeverinë në Jemen. Kjo është ajo që i shqetëson më shumë Shtetet e Bashkuara. Nuk janë thjesht armët bërthamore, por objektivat e tyre strategjike për të dominuar rajonin”, thotë Gjenerali Keane.

Gjenerali Keane thotë se nëse Irani synon të përftojë armë bërthamore, si dhe raketa ndërkontinentale që do t’i blejnë nga Korea e Veriut, e cila i ka furnizuar deri më tani me këto paisje ushtarake.

“Nëse Irani i merr këto armë bërthamore dhe raketa ndërkontinentale, ata nuk do të jenë një kërcënim vetëm për rajonin. Ata do të jenë një rrezik global. Kjo duhet ndaluar”, thotë Gjenerali Keane.

Gjenerali thotë se rishikimi i kësaj marrëveshjeje nga administrata Trump synon të frenojë ambicjet e Teheranit në mënyrë që të mos i arrijnë këto objektiva të tyre strategjike. Ai thekson se një pengesë në këtë drejtim është marrëveshja bërthamore e nënshkruar në vitin 2015, e cila u lejon iranianëve të vazhdojnë funksionimin e reaktorëve bërthamorë, që janë një rrugë e sigurtë drejt armatimit bërthamor.

“Shtetet e Bashkuara u bënë pjesë e një marrëveshjeje së bashku me pesë vende të tjera, qëllimi i vetëm i së cilës ishte të ndalonin Iranin të përftonte armë bërthamore. Por, vetë marrëveshja u jep mundësinë iranianëve, pas 10 viteve, që bazuar mbi këtë dokument të rrugëtojnë drejt armëve bërthamore”, thotë Gjenerali Keane.

Gjenerali Keane thotë se ky është thelbi i shqetësimit të administratës Trump, si dhe fakti që bazuar mbi këtë marrëveshje, Irani vazhdon të marrë fonde prej miliarda dollarësh, të cilat po i përdorin për të financuar fushatën e tyre strategjike për dominimin e rajonit.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG