Lidhje

Kenia: Shpëtohen shumica e pengjeve në Nairobi


Kenia thotë se forcat e saj po kërkojnë si për pengje ashtu edhe për personat e armatosur në qendrën tregëtare në Nairobi ku militantët islamik vranë dhjetra vetë të shtunën. Zyrtarët qeveritarë thanë sot se ushtria kontrollon të gjitha katet e ndërtesës së qendrës Westgat dhe ka shpërtuar një numër të paspecifikuar pengjesh. Por situata në qendër vazhdon të jetë e paqartë.

Ministri i Brendshëm Joseph Ole Lenku tha se forcat keniane tani kanë nën "kontroll të plotë" kompleksin tregtar Westgate. Ai tha se dy prej personave të armatosur që kryen sulmin ishin vrarë gjatë një operacioni ushtarak.

Zoti Lenku foli rreth 90 minuta pasi dëshmitarë kishin dëgjuar disa shpërthime të mëdha pranë qendrës tregëtare, të pasuara nga të shtëna me armë zjarri. Pas shpërthimeve, një re e zezë tymi vazhdoi të ngrihej nga vendi i ngjarjes.

Ushtria e Kenias e filloi sulmin në kompleksin tregtar Westgate mbrëmë. Zoti Lenku tha se 62 njerëz janë vrarë që kur persona të armatosur sulmuan ndërtesat të shtunën, ndërsa sipas Kryqit të Kuq kenian numrin i të vdekurve është 69. Kryqi i Kuq shton se 175 persona janë plagosur dhe se të paktën 65 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Heidi Edwards me origjinë australiane i mbijetoi sulmit duke u fshehur në pjesën e prapme të një dyqani.

"Pas një farë kohe, kur granatat filluan të dëgjoheshin përsëri, u bë e qartë se ishte diçka më e rëndë sesa një grabitje. Disa familje filluan të vraponin dhe rreth 45 minuta pasi u dëgjua granata e parë pamë dhe shumë njerëz të tjerë të shkonin drejt daljes dhe ata arritën të shpëtonin. Ne kërkuam të fshiheshim, por nuk kishte vende për t’u fshehur, kështu që vendosëm të vraponim."

Grupi terrorist somalez al -Shabab mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se ishte hakmarrje për ndërhyrjen ushtarake të Kenias në Somali. Një zëdhënës i al-Shababit tha se në një mesazh se Kenia “ose duhet të largohej prej Somalisë ose duhet të jetonte mes sulmesh të vazhdueshme". Forcat keniane hynë në Somali dy vjet më parë për të luftuar militantët e al –Shababit, të cilët shpesh kalonin kufirin për të ndërmarrë sulme.

Presidenti i Kenias, Uhuru Kenyatta premtoi se do të reagonte me vendosmëri ndaj kërcënimit të terrorizmit dhe se do të ndëshkonte përgjegjësit e sulmit "me shpejtësi dhe me ashpërsi". Presidenti kenian tha dje se nipi i tij me bashkëshorten ishin mes të vrarëve gjatë sulmit, dhe se ai ndjen dhimbje për çdo jetë të humbur.

Në mesin e të vrarëve të këtij sulmi ishin tre shtetas britanikë, si dhe shtetas nga Franca, Kanadaja, Kina, India dhe Korea e Jugut.
XS
SM
MD
LG