Lidhje

Sekretari i Shtetit Kerry viziton Afrikën


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry sot shkon në Afrikë për bisedime mbi dhunën në Sudanin e Jugut dhe në Republikën e Afrikës Qendrore. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Departamentin e Shtetit Scott Stearns njofton.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit që po udhëton me Sekretarin Kerry tha se diplomati i lartë amerikan do të dërgojë "një mesazh të fuqishëm për të dyja palët" në Sudanin e Jugut, "se ata do të mbahen përgjegjës në qoftë se nuk marrin veprimet e nevojshme për t’i dhënë fund armiqësive".

Shtetet e Bashkuara kanë përgatitur një mekanizëm për ndalimin e udhëtimeve dhe ngrirjen e aseteve të individëve përgjegjës për dhunën që pasoi akuzat për një përpjekje grushtshteti në dhjetor. Sekretari Kerry thotë se Presidenti Barack Obama tani është duke shqyrtuar mundësinë e vendosjes së këtyre sanksioneve.

"Ne do të vazhdojmë t’i nxisim të dyja palët. Por ndoshta sanksionet do të jenë të nevojshme për të ushtruar ndikim mbi ata. Ne tani jemi duke shqyrtuar këtë opsion".

Në Adis Abeba, Sekretari Kerry do të takohet me homologët e tij nga Etiopia, Uganda dhe Kenia me shpresën për t’i bindur ata që të bashkohen në vendosjen e sanksioneve ekonomike dhe ndalimin e udhëtimeve ndaj atyre që janë përgjegjës për dhunën. Një zyrtar i lartë i administratës tha se Presidenti i Sudanit të Jugut Salva Kiir dhe ish- nënpresidenti dhe tani rivali i tij Riek Machar, besojnë se mund të fitojnë ushtarakisht dhe asnjëri prej tyre "nuk ka në mendje interesin e vendit".

Sekretari Kerry do të informohet mbi dhunën në Sudanin e Jugut nga ish-udhëheqësi nigerian Olusegun Obasanjo, i cili drejton një komision hetues të Bashkimit Afrikan.

Në selinë e Bashkimit Afrikan, Sekretari Kerry do të takohet me zyrtarët që janë përgjegjës për përpjekjet paqeruajtëse në Republikën e Afrikës Qendrore, ku ai thotë se është "për të ardhur keq" që Kina u bashkua me Rusinë në bllokimin e sanksioneve të OKB-së ndaj këtij vendi.

"Pa sanksione të OKB-së do të jetë shumë më e vështirë për të marrë hapat që ne mendojmë se janë të nevojshëm".

Në këtë udhëtim, Sekretari Kerry do të takohet me presidentin somalez Hassan Shejh Mohamud për të diskutuar mbi luftën kundër militantëve të Al – Shababit që janë të lidhur me Al-Kaidën.

Ai do të udhëtojë në Kinshasa për një takim me presidentin Jozef Kabila në lidhje me sigurinë në Kongon lindore, ku një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit thotë se "është arritur sukses pas shumë vitesh konflikti". Këto bisedime do të përfshijnë edhe çështjen e amnistisë për disa anëtarë të grupit rebelë M-23, si dhe gjykimin e disa prej udhëheqësve të këtij grupi nga gjyqësori kongolez.

Sekretari Kerry gjithashtu do të vizitojë Angolën ku do të zhvillojë bisedime me presidentin Hoze Eduardo dos Santos, për të cilin një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit thotë se ka luajtur një "rol jashtëzakonisht pozitiv" në zgjidhjen e krizave në Republikën Demokratike të Kongos dhe në Republikën e Afrikës Qendrore.

Sekretari Kerry do të takohet me aktivistë të shoqërisë civile dhe udhëheqës të biznesit në Etiopi dhe Angola.
XS
SM
MD
LG