Kryetari i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin amerikan John Kerry u përball me kolegët e tij gjatë një seance dëgjimore për konfirmimin e tij si sekretar shteti. Në komentet e para të fjalimit të tij, senatori i Masaçusetsit dhe ish kandidati për president tha se Shtetet e Bashkuara duhet të zgjidhin fillimisht problemet fiskale brenda vendit, në mënyrë që të mbeten udhëheqës në arenën ndërkombëtare.
“Më shumë se kurrë, politika e jashtme është edhe politikë ekonomike. Bota po konkurron për burime dhe tregje globale”.
Senatori Kerry ka shërbyer për 28 vjet në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë në Senat dhe e ka drejtuar këtë komision gjatë katër viteve të fundit.
Gjatë seanacës së sotme ai iu përgjigj pyetjeve rreth shërbimit të tij ushtarak në Vietnam, krizës në Siri, si dhe propozimin e tubit të gazit Keyston XL, i cili pritet të shtrihet nga Kandaja në shtetin jugor të Teksasit.
Zoti Kerry u paraqit përpara komisionit nga paraardhësja e tij, Sekretarja e Shtetit Klinton, e cila dje u paraqit përpara të njëjtit komision për t’iu përgjigjur pyetjeve rreth sulmit vdekjeprurës të shtatorit të vitit të kaluar në konsullatën amerikane në Bengazi të Libisë.
“John Kerry është zgjedhja e duhur për të çuar përpara politikën e jashtme të administratës së presidenti Obama”, tha ajo.
Presidenti Barack Obama e njoftoi kandidaturën e John Kerry-t për postin e sekretarit të shtetit në 21 dhjetor.