Lidhje

SHBA për lehtësimin e kufizuar të sanksioneve ndaj Iranit


Nën-Sekretarja e Departamentit të Shtetit për Çështje Politike, Wendy Sherman i tha një komisioni të senatit se çdo angazhim diplomatik me Iranin do të shoqërohet me zbatimin e sanksioneve ekzistuese

Një zyrtare e lartë amerikane tha se lehtësimi i kufizuar i sanksioneve ndaj Iranit është i mundur në se ky i fundit ndërmerr hapa për të ndërtuar besimin dhe për të zbutur shqetësimet rreth programit të tij bërthamor, por se masat themelore duhet të mbeten në fuqi deri sa të trajtohen të gjitha çështjet.

Nën-Sekretarja e Departamentit të Shtetit për Çështje Politike, Wendy Sherman i tha një komisioni të senatit sot se çdo angazhim diplomatik me Iranin do të shoqërohet me "zbatimin e sanksioneve të forta" tashmë në fuqi.

Ajo i cilësoi masat e imponuara pas refuzimit të Iranit për të ndaluar pasurimin e uraniumit – si “sanksionet më të fuqishme që ka parë ndonjëherë bota” dhe vlerësoi se ato kanë detyruar Teheranin të ulet në tryezën e negociatave.

Zonja Sherman tha se presidenti i ri i Iranit, Hassan Rouhani, u zgjodh pasi ai argumentoi se dështimi për të ndjekur një marrëveshje serioze mbi programin bërthamor të Iranit ishte shkatërrues për ekonominë iraniane.

Më parë, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry u shpreh i matur rreth angazhimit me Iranin lidhur me programin e tij bërthamor, por tha se Irani duhet të ndërmarrë hapa konkretë për të vërtetuar sinqeritetin e tij.

Duke folur sot në Tokio, zoti Kerry tha se asgjë nuk do të merret duke u nisur nga paraqitja e jashtme.

Irani ka shprehur dëshirën për një angazhim më të madh me Perëndimin nën drejtimin e presidentit të ri Hassan Rouhani.

Presidenti amerikan Barack Obama tha javën e kaluar në një telefonatë historike me zotin Rouhani se beson se mund të arrihet një zgjidhje gjithpërfshirëse dhe se të dyja palët po ecin përpara.

XS
SM
MD
LG