Lidhje

Sek. Kerry bisedime me izraelitët dhe palestinezët


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry po zhvillon një tjetër raund bisedimesh me udhëheqës izraelitë dhe palestinezë, krahas me Sekretarin britanik të Shtetit, William Hague, që synojnë t’i ulin të dyja palët në tryezën e bisedimeve të bllokuara të paqes.

Të dy kryediplomatët zhvilluan sot takime të veçanta me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu dhe thanë se kanë shpresa për përparim në rifillimin e negociatave. Më pas, zoti Kerry u takua me presidentin palestinez Mahmud Abbas në Ramallah dhe më pas me të do takohej edhe sekretari britanik i Shtetit.

Zoti Kerry vlerësoi seriozitetin dhe energjinë personale të zotit Netanjahu për gjetjen e një rruge për vazhdimin e bisedimeve të ngrira të paqes që nga viti 2008. Ai tha se e kupton se ka skepticizëm dhe madje edhe cinizëm lidhur me bisedimet e paqes të bllokuara për një kohë të gjatë, por ai shprehu optimizëm lidhur me gjetjen e një rruge për rifillimin e tyre.

Të dyja palët kanë patur mosmarrëveshje lidhur me ndërtimin e vendbanimeve të reja nga Izraeli në Bregun Perëndimor dhe në Jeruzalemin Lindor. Palestinezët duan që këto rajone të jenë pjesë e një shteti palestinez në të ardhmen dhe kanë refuzuar të negociojnë me Izraelin, deri sa ai të ndalë ndërtimet. Izraeli nuk pranon të vihen parakushte për bisedimet e paqes.
XS
SM
MD
LG