Lidhje

Takim Kerry-Lavrov në Gjenevë


Shtetet e Bashkuara dhe Rusia i ripërtërinë sot përpjekjet për negocimin e një marrëveshjeje përfundimtare për t’i dhënë fund luftimeve në Siri, në kushtet e një situate të ndërlikuar më të paqëndrueshme, të krijuar me hyrjen në rajon të forcave turke.

Sekretari amerikan i John Kerry dhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov filluan sot bisedimet për këtë çështje në Gjenevë. Të dyja palët po përpiqen për të arritur një marrëveshje lidhur me bashkëpunimin ushtarak dhe ndarjen e informacioneve në përpjekjet për të mundur militantët e Shtetit Islamik në Siri, diçka që e duan të dyja palët.

Gjatë pushimit të drekës, zoti Lavrov tha se bisedimet me zotin Kerry për Sirinë ishin “të shkëlqyera”.

I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura, i cili ishte gjithashtu i pranishëm në takim, tha se “jemi ende duke punuar.”

Kur hyri në sesionin e bisedimeve në mëngjes, zoti Lavrov ju shmang komenteve për një pyetje të një gazetari, se cila ishte pengesa kryesore për ndalimin e luftimeve në Siri, duke thënë se “nuk dua ta prish atmosferën e bisedimeve”. Sekretari Kerry nuk bëri ndonjë koment.

Bisedime të mëparshme ndërkombëtare, përfshirë ato me pjesëmarrjen e diplomatëve të lartë të Uashingtonit dhe Moskës, nuk kanë sjellë një përfundim të konfliktit, në Siri, që është komplikuar nga mbështetja amerikane dhe ajo ruse për palët rivale. Gjatë luftës në Siri janë vrarë mbi 290,000 njerëz. Konflikti po ashtu ka detyruar miliona njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre në një periudhë mbi 5 vjeçare.

Plani fillestar i zotit Kerry, që u bë i njohur në bisedimet e korrikut në Moskë, kërkonte koordinimin e sulmeve ajrore nga Washingtoni dhe Moska kundër luftëtarëve të Shtetit Islamik dhe për të mos e lejuar forcën ajrore siriane të kryejë sulme ajrore të mëtejshme.

Takimi kësaj radhe zhvillohet në kushtet e rritjes së tensioneve në Siri, pasi Turqia vendosi në fillim të javës të dërgojë atje tanke për të spastruar një zonë të kontrolluar nga grupi Shteti Islamik.

XS
SM
MD
LG