Lidhje

Kerry-Lavrov, përpjekje për konferencë mbi Sirinë


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry dhe ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov vazhdojnë bisedimet në Gjenevë lidhur me rrugët për të bindur Sirinë të dorëzojë arsenalin e saj të armëve kimike.

Gjatë një pushimi në takimet, ku merr pjesë edhe i dërguari ndërkombëtar për Sirinë, Lakhdar Brahimi, Ministri Lavrov dhe Sekretari Kerry thanë se kanë shpresë se bisedimet do të çojnë në rigjallërimin e një plani ndërkombëtar për t'i dhënë fund luftës në Siri.

Sekretari Kerry tha:

"Jemi duke punuar me këmbëngulje për të gjetur terren të përbashkët që kjo të realizohet. Kemi diskutuar mbi një pjesë të punës që ne të dyve na duhet të bëjmë. Sot unë nuk do të hyj në hollësi. Ne të dy ramë dakord për ta bërë këtë punë dhe për t'u takuar përsëri në Nju Jork rreth datës 28 shtator, kur atje mbahet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, për të parë nëse është e mundur të gjejmë një datë për atë konferencë. Kjo do të varet shumë nga ajo se sa sukses do të kemi këtu në orët dhe ditët që pasojnë mbi subjektin e armëve kimike," tha Sekretari Kerry.

Ministri rus, Lavrov falënderoi Sekretarin Kerry për seriozitetin e treguar në punën për çështjen e armëve kimike të Sirisë, megjithë ngarkesën e madhe në punën lidhur me konfliktin arabo-izraelit.

Ndërkohë, Presidenti sirian Bashar al-Asad i tha televizionit rus se ai do të heqë dorë nga armët e tij kimike kur SHBA të ndalin kërcënimet për veprime ushtarake.


KERRY: ENDE HERËT PËR TË FOLUR PËR SUKSES TË DIPLOMACISË

Të enjten, Sekretari Kerry tha se ai shpreson që diplomacia do të arrijë të shmangë një sulm të mundshëm amerikan ndaj Sirisë. Qeveria e Sirisë akuzohet se ka përdorur armë kimike muajin e kaluar në afërsi të Damaskut. Sekretari Kerry tha se procesi i dorëzimit të armëve kimike duhet të jetë i kontrollueshëm:

“Duhet të jetë i vërtetë, duhet të jetë i gjithanshëm, duhet të jetë i verifikueshëm, duhet të jetë i besueshëm, duhet të jetë i shpejtë dhe të zbatohet me shpejtësi. Dhe së fundmi, duhet të ketë pasoja në se nuk kryhet”.

“Ne nuk mund të lejojmë që kjo të ndodhë përsëri”, tha Sekretari Kerry, duke përsëritur akuzat e Uashingtonit se sulmi me armë kimike ishte organizuar nga qeveria siriane. Shpresat për bisedimet janë të larta, tha zoti Kerry, duke shtuar se, “kjo nuk është një lojë”.

Zoti Kerry tha se është ende shumë shpejt për të thënë në se diplomacia do të ketë sukses, por shtoi se Shtetet e Bashkuara po hyjnë në këtë nismë me shumë seriozitet.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se ai beson se Shtetet e Bashkuara do të arrijnë në një konsensus me Rusinë.

Po ashtu ai iu referua artikullit të botuar të enjten nga Presidenti Putin në gazetën “The New York Times”, në të cilën zoti Putin paralajmëron Shtetet e Bashkuara kundër sulmeve ajrore ndaj qeverisë së zotit Assad.

Sekretari Kerry kundërshtoi një koment të shprehur nga Presidenti i Sirisë Bashar al-Assad se Siria mund të presë një muaj për të dorëzuar informacionin rreth armëve të veta kimike, pasi të anëtarësohet në traktatin e OKB-së që ndalon përdorimin e armëve kimike.

Zoti Assad e shprehu këtë ide gjatë një interivste për një stacion televiziv rus, duke thënë se një periudhë një-mujore është normale. Sekretari Kerry tha se “nuk ka asgjë normale” rreth gjendjes së tanishme.

Një zëdhënës i OKB-së tha se organizata botërore ka marrë një letër nga Siria të enjten për të filluar procesin e çarmatimit duke depozituar dokumentet për t’u anëtarësuar në traktatin ndërkombëtar.

Presidenti Barak Obama tha se ai shpreson që takimi Kerry-Lavrov do të përfundojë me rezultate konkrete.

Zyrtarët amerikanë thonë se sigurimi dhe shkatërrimi i armëve të Sirisë është i mundur por është i vështirë dhe i komplikuar.

XS
SM
MD
LG